Sot Partia Demokratike ka denoncuar një tender të zhvilluar nga OSHEE-ja, abuzimi me të cilin sipas saj është 6 miliardë lekë. Bëhet fjalë për blerjen e matësave të rinj, që do të mbyllin boshëllkun që ekziston sipas objektivit të vendosur se brenda verës nuk do të ketë më asnjë konsumator pa matësa.

Akuzat ndaj OSHEE-së dhe kreut të saj nuk janë të reja. Vetëm para disa muajsh, Ardian Çela kishte urdhëruar zhvillimin e një tenderi, rreth 500 mijë euro për kujdesin antistres të punonjësve. Tenderi miliona eurosh i godinës së re të OSHEE-së është një nga më të përfolurit edhe pse argumenti që kryeministri përdori për të ishte se “duam të bëjmë një godinë dinjitoze për qytetarët”. Po a nis e mbaron dinjiteti i qytetarit te standardi i godinës apo i shërbimit? Këtë jo se nuk e kuptojmë, por kjo demagogji me llogjet kryeministrore të shqetësimit për standarde është fyese dhe duke qenë se kryeministri e di që askush nuk e beson, e kthen atë në këmbënguljen për ta përsëritur në një papagall, si ai i fotografisë që përdoret shpesh.

Për ta ilustruar këtë shërben mirë problemi i Mbifaturimeve, në Lezhë e në Elbasan, apo edhe në Kukës. Problem për të cilin Çela, i mbrojtur nga Lart, nuk e vë ujët në zjarr, gjithnjë duke dhënë idenë “të durojnë ata andej, siç kanë duruar deri më tani”. Në Lezhë madje u fol për protesta, ndërkohë që në Elbasan u kërkua fshirja e mbifaturimeve. Këto janë zona ky problemi është akumuluar, pasi mbifaturimi, apo edhe dukuria e “faturimit pa konsumuar” si në rastin e familjeve që kanë emigruar, është prezente kudo.

Në fund, për Bletën Punëtore Ardian Çela, do sjellë në vëmendje edhe akuza e bërë në zgjedhjet lokale, ku ai u përfol në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si një njeri që kishte ndihmuar për manipulimin e listave të kumbarit të tij politik, Vangjush Dakos së Bashkisë Durrësit, një njeri që bashkë me Qazim Sejdinin e Elbasanit, kërcyen së fundmi në Kryesinë e PS-së, nuk dihet për ç’merita.

Batërdia që po ndodh aktualisht me OSHEE-në, e cila fshihet pas suksesit që nxirret sa herë është nevoja, të uljes së humbjeve, nuk do të ishte e mundur dhe as e plotë, pa paradhënien e rishtetëzimit të saj, dikur në pronësi të CEZ-it. Dhe kumbari i rishtetëzimit është Damian Gjiknuri, ministri aktual i Energjetikës, i cili akuzohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për 472 milionë euro dëm, në negociimin e marrëveshjes me kompaninën çeke. Marrëveshja është firmosur në Parlament, por dosja e prokurorisë që është publikuar para një muaji, konfirmon se Grupi i Punës për këtë çështje nuk ishte mbledhur asnjëherë dhe se Damiani i Energjetikës, kishte livadhisur mirë në atë “qoshe të shtetit shqiptar”.

Kaq i madh është dëmi, saqë PS-ja u detyrua të ngrejë Komision Parlamentar Hetimor për privatizimin e OSHEE-së nga CEZ, duke ndërsyer Taulant Ballën që të deklarojë se do të “kërkojë edhe forcërisht dëshminë e Berishës”. Aferim, do të thoshim në këtë rast. Ta merrni e ta pyesni, në pattë këllqe. Por e mira e shtebërjes e do që të interesoheni edhe për xhudhitë që po dalin nga rishtetëzimi, aty ku Gjiknuri ka vënë vulat e veta, pas të cilave tani Çela po vepron si në bahçen e vet. Kjo është një histori vjedhjesh, që provon se në menaxhimin e pasurisë publike, socialistët janë privatë të zotë. Edhe pse juristë të dobët, po të marrim parasysh se lakrat kanë dalë sheshit.