Pak ditë më parë u bë i njohur lajmi i Lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike në Shqipëri. Politika shqiptare, e të gjithë spektrit, e përshëndeti këtë akt të Papa Françeskut, që është një mik i vendit tonë, miqësi që e dëshmoi me vizitën e tij në Tiranë. Lumturimi vjen pas vizitës së Papës, por nuk mund të mos tërhiqet vëmendja te një fakt jo pa rëndësi: ndonëse të gjithë duartrokasin aktin e Papës, politika nuk ka gjetur dot gjuhën e përbashkët për caktimin e një ambasadori në Vatikan, siç e kërkon rregulli dhe normaliteti i marrëdhënieve. Visar Zhiti është i Ngarkuar me Punë dhe nga sa shihet, ndaj tij Selia e Shenjtë nuk ka ndonjë rezervë; kjo meqenëse Presidenti deklaroi se Zhiti ishte shprehur kundër Kishës.

Në çdo rast, Shqipëria ka nevojë për një ambasador në Selinë e Shenjtë, meqenëse Lumturimi i 38 martirëve, pavarësisht se një çështje me karakter fetar, ka rëndësi të madhe dhe i bën jehonë për mirë një vendi që zakonisht tallet apo ironizohet, siç shohim tani në fushatën elektorale britanike.