Ambasada ruse në Tiranë ka shpërndaë sot një njoftim për shtyp përmes të cilit sjell në kujtesë atë që e cilëson Tragjedia e Odesës. “Sot, më 2 maj, mbushen dy vite nga një prej ngjarjeve më tragjike të konfliktit ukrainas. Siç dihet, në këtë ditë në vitin 2014 neonazistët, përfshirë këtu edhe simpatizantët e grupit radikal “Sektori i Djathtë”, i vunë zjarrin Shtëpisë së Sindikatave në Odesë të Ukrainës, ku ishin bllokuar dhjetëra njerëz të paarmatosur. Si rezultat i këtij aksioni barbar, 48 njerëz humbën jetën: shumica u dogjën të gjallë, ndërsa shumë të tjerë vdiqën pasi kërcyen nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve. I vetmi faj që kishin viktimat ishte që e shprehën hapur qëndrimin e tyre qytetar kundër grushtit të armatosur antikushtetues të ndodhur në Kiev në shkurt 2014, i cili i vuri në rrezik të drejtat e popullsisë rusishtfolëse dhe të rusëve etnikë në Ukrainë”, thuhet në njoftim.

Më tej, ambasada shton se ka bërë përpjekje maksimale ndaj qeverisë shqiptare “që të ushtrojë ndikimin e saj maksimal mbi Kievin për të siguruar që tragjedia e ndodhur në Odesë të hetohet më në fund siç duhet dhe që fajtorët e vdekjes së dhjetëra njerëzve të dalin para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar (kërkesat përkatëse zyrtare Ambasada i ka dërguar Kryeministrit, Kryetarit të Kuvendit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë)”. Ambasada kujton se hetimi i kryer deri më tani nga qeveria ukrainase është cilësuar poshtë standardeve nga Grupi  Konsultativ Ndërkombëtar i Këshillit të Evropës për Ukrainën, duke dalë këtu me një kërkesë për hetim që legjitimohet.

Apeli ndaj palës shqiptare dhe qasja e ambasadës e cila po aktivizon diplomacinë publike në Tiranë, si asnjëherë më parë kaq intensivisht, vjen si një mesazh nga Moska për një shikim tjetër të marrëdhënieve dypalëshe, pasi i jep një rol simbolik Shqipërisë që nuk e mbështet dot në terren. Një hollësi jo pa rëndësi këtu është fakti se qasja ruse vjen në simetri, brenda kontesktit të raportit dypalësh, me kërkesën e Tiranës për një hetim ndërkombëtar për ngjarjet e Kumanovës, ngjarje të cilat mbetën pa përgjegjës. Dhe për të cilat Shqipëria nuk kujtohet më.