Për të frenuar ankimet  dhe për t’i treguar Gjykatws sw  Strasburgut se ligji i ri zgjidh përfundimisht çështjen problematike të pronës, qeveria shqiptare i kërkoi Presidentit të Gjykatës Europiane, Guido Raimondi, të pezullojë shqyrtimin e dosjeve, duke e marrë vetë përsipër kompensimin dhe kthimin fizik për të gjitha vendimet. Kjo kërkesë është bërë dy ditë më parë nga dy ministrat e qeverisë, Arben Ahmetaj dhe Ylli Manjani. Gjatë bisedës, ata i kërkuan presidentit Raimondi, se pezullimi i vendimeve do të krijojë mundësi optimale për të zbatuar ligjin e ri.

“Qeveria është përpjekur të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe proporcionale, pa dëmtuar interesat e brezave që do të vijnë. Për 10 vitet e aplikimit të ligjit, në buxhetin e shtetit do të ketë një zë më vete, ku do të alokohen fondet për këtë çështje”, i tha Ahmetaj kreut të GJEDNJ-së raporton gazeta "Shekulli".

Pas miratimit të ligjit të ri të pronave, nëse do të llogaritej fatura financiare për 4 vendime të dhëna në muajt mars dhe prill nga Gjykata e Strasburgut në favor të pronarëve, ajo kap vlerën 23 milionë euro. Nëse këtyre vendimeve pro pronarëve u shtohet edhe ai i muajit nëntor, kur ligji ishte në fazën e strukturimit, qeveria vetëm për këto periudha ka detyrimin e ndarjes së 28 milionë eurove. Kjo shumë shpërndahet kundrejt një numri të vogël pronarësh, madje të papërfillshëm, pasi në Gjykatën Evropiane sot numërohen 400 ankesa të depozituara në vite.