Një shpërthim i fuqishëm tronditi mëngjesin e sotëm qendrën e Stambollit. Një makinë e parkuar afër një stacioni autobusi u hodh në erë duke shkaktuar të paktën 11 të vrarë e dhjetra  të plagosur. Mes viktimave 7 janë punonjës policie dhe 4 qytetarë. Bilanci është ende paraprak dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Automjeti ka qenë i mbushur me eksploziv dhe ka shpërthyer në momentin që pranë tij po kalonte një autobus policie. Sipas mediave turke në vendngjarje janë dëgjuar të shtëna, por nuk konfirmohet nëse ka patur përplasje me armë mes atentatorëve dhe policisë. Autoritetet bëjnë fjalë për një sulm terrorist.

Vala e sulmeve terroriste që ka përfshirë Turqinë po e dëmton rëndë në planin ekonomik, pasi ndikon drejtëpërdrejtë në sektorin e turizmit.