"Nëse do më jepej edhe njëherë mundësia do votoja pro qëndrimit të Britanisë në BE. Nuk besoja se vota ime kundër do krijonte këtë situatë"- deklaroi një nga britanikët që mbështeti daljen e vendit të tij nga Bashkimi Evropian. Para pak orësh votuan për ta nxjerrë Britaninë nga BE, por tani mbështetësit e "Leave" ndihen të shokuar me atë që ka ndodhur. Një britanik mbështetës i "BREXIT" i tha "BBC" se nuk besonte kurrë se vota e tij do sillte këtë rezultat.
"Që të jem i sinqertë jam pak i shokuar. I shokuar që votuam për të dalë nga BE. Nuk e besoja se do ndodhte, besoja se do vazhdonim të ishim pjesë e BE-së"- i tha "BBC-së" Adami nga Mançesteri, ku mbështetësit e "BREXIT" arritën një rezultat 39%. Ai shtoi se dorëheqja e kryeministrit Kameron e la pa fjalë. "Jam i shqetësuar se pasiguria që do të kemi në muajt në vijim do të rritet".

Të shumta ishin reagimet dhe komentet në rrjetet sociale ku thuhej se: "Ky është britaniku i mesëm. Adami nga Mançesteri votoi për të ikur nga BE, por nuk besonte se do ikte vërtet dhe se vota e tij do merrej në konsideratë. Dhe tani është i shqetësuar". Statistikat ndërkaq thonë se janë shtuar kërkimet në "Google" nga britanikët që duan të dinë se çfarë është Bashkimi Europian. Dhe Adami nga Mançesteri nuk është i vetmi që është penduar. Luiza Kobton e "BBC2" tha se shumë nga britanikët që kishte intervistuar i thanë se ishin zgjuar dhe nuk e kishin besuar që Britania kishte votuar për të dalë nga Bashkimi Europian. Të penduarit që hodhën votën për "BREXIT" janë shtuar. Një votuese i tha "ITV NeJawss se "jam e zhgënjyer nga rezultati, edhe pse votova pro daljes nga BE. Sot në mëngjes u zgjova dhe realiteti më goditi. Nëse do të votoja sërish, do të votoja pro qëndrimit në BE. I thashë motrës se shpresoj të bëhet një tjetër referendum dhe se gjërat do t'i kisha bërë ndryshe këtë radhë".