Kryeministria ka reaguar sot pndaj padisë që Partia Demokratike ka depozituar ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me çështjen e fotos me Barack Obamën dhe pretendimin se për të janë paguar 80 mijë dollarë. Padia e ka vënë praktikisht nën hetim kryeministrin që sot është kundërpërgjigjur sërish me thirrjen për reformën në drejtësi.

“Kryeministri Edi Rama shpreh edhe njëherë keqardhjen për përpjekjen e dëshpëruar të Partisë Demokratike për të mos u përballur me nevojën reale të vendit sot, që është Reforma në Drejtësi. Kallëzimi i Partisë Demokratike për fotografinë e vitit 2012 me Presidentin Obama, kur Kryeministri i sotëm ishte në opozitë dhe akuza për financim të paligjshëm nga ana e tij të fushatës së Presidentit Obama, përbën një tjetër rast për qytetarët për të parë se në çfarë niveli dëshpërimi gjendet opozita e sotme. Kryeministri Rama s’ka lidhje me asnjë lloj financimi të paligjshëm dhe i vetmi “krim” që ka bërë në vitin 2012 është se ka dalë në fotografi me Presidentin e SHBA në një kohë kur qeverisë shqiptare dhe shefit të saj i ishin mbyllur të gjitha dyert dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë vuanin rrënimin e imazhit të vendit tonë për shkak te keqqeverisjes.  Edhe sot Partia Demokratike vazhdon të paguajë për të nxjerrë artikuj në gazeta të dorës së dytë e të tretë matanë oqeanit, që përpiqet t’i shesë në Shqipëri si “bomba” kundër qeverisë së sotme, e cila u prit zyrtarisht në Shtëpinë e Bardhë pas vitesh të tëra dyersh të mbyllura”, thuhet në deklaratën e kryeministrisë.

Më tej edhe pyetja pas së cilës Edi Rama mendon të kapet për vitin 2016, por mbase edhe për vitin 2017?

“Çfarë e frikëson Partinë Demokratike në përfshirjen e aleateve tanë strategjikë në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit të Reformës në Drejtësi”.