Një ditë pasi ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Victroria Nuland, deklaroi se ka një propozim hibrid për çështjen e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të reformës në drejtësi, ka folur edhe kryeministri Eid Rama. I cili deri më dje deklarohej i vendosur për të mos lejuar një reformë që u jep të drejta partive.

Por dje ishte dje, sot është sot dhe sot Edi Rama flet ndryshe. “Vija e kuqe nuk është bërë nga peneli im, por është përcaktuar nga SHBA dhe BE dhe që ka në esencën e vetë procesin e vetingut.  Ne kemi rënë dakord për çdo qasje që garanton pjesëmarrjen e opozitës bazuar në rekomandimin e Komisionit të Venecias. Por thelbi është jo se kush do të mbushë me ujë shishet, por sa i pastër do jetë burimi nga do vijë uji. Pra, si të garantojmë filtrin e sigurtë. Nëse filtri është i sigurtë nuk ka asnjë problem tjetër”, tha Rama pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së.

Njeriu që deklaroi se reforma ishte një paketë ekspertësh dhe që këmbënguli se nuk lëshohet vetingu në duar të partive, sot ka deklaruar këtë sa më sipër. Por ka mbetur njeri më që të habitet? Le të kujtojmë edhe njëherë, se Nuland argumentoi se propozimi hibrid “e respekton sovranitetin e Shqipërisë”, të cilin deri më dje e mbronte vetëm opozita.

Ndoshta ishte fije bari, por më mirë fije bari, sesa tallja që Edi Rama dhe ata që paguhen për të llapur e zhgarravitur atë që do ai, bënë me konceptin e sovranitetit. Është e vërtetë se kjo “falje e sovranitetit” nga Nuland është në fakt një zhbërje e tij, por të paktën kështu shohim se cilin argument apo palë dëgjojnë apo marrin më shumë seriozisht ata që kanë në dorë realisht vendimet.