Mal Berisha, ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ish-funksionar i lartë në Ministrinë e Jashtme, shkruan sot në gazetën “Panorama” një opinion mbi ndarjen pro dhe antiamerikane, që artificialisht është rifutur në politikën shqiptare së fundmi. Berisha i përmbahet një lloj ndarjeje klasore në këtë drejtim, duke nënvizuar se aktet politike të para ’90-ës nuk mund të zhbëhen me hosanatë e pas ’90-ës. Dhe këtu lidhjet biologjike të një kaste të caktuar me ish-Byroistët  antiamerikanë nuk ka sesi të mos mbahen parasysh.

“Kur vdiq Sabatti Zevi dhe vajtën ta marrin për ta varrosur, nën kokën e jastëkut të tij nuk gjetën Kuranin e Shenjtë të Islamit, të cilit i ishte betuar para Sulltanit, por Torahun, Librin e Shenjtë të hebrenjve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me komunistët shqiptarë: Në vitin 1990 ata u vunë përpara dy zgjedhjeve: O me Perëndimin, o me urinë masive që po pllakoste vendin dhe izolimin total. Ata u bënë dönmeh, pra u shndërruan në të dashur të Euro-Amerikës dhe tani vonë sajuan edhe sektin e tyre me emër Rilindja, e cila po na vdes ndër duar me librin “Rreziku Anglo-Amerikan për Shqipërinë”, nën jastëk, duke bërtitur: “Rroftë Amerika!”, shkruan Berisha. Dhe pak më tej diçka nga memoria e ngjarjeve jo shumë të largëta, kujtimi i të cilave konfirmon deformimin e çdo morali politik.

“Tek i sheh ata të përgjërohen për Amerikën të vijnë ndër mend transmetimet televizive të fundvitit 1990: Byroja Politike, Ramizi më vemjet e tij, që mendonin se a duheshin përdorur armët apo jo që të mposhteshin ata, proamerikanët, “reaksionarët”, “agjentët e Amerikës”, fëmijët dhe të afërmit e të arratisurve në Amerikë!? Tani brezi tjetër i byroistëve na del më proamerikan se vetë ata që shembën diktaturën e tyre. Të shohësh në televizionin shqiptar djem anëtarësh të byrosë, djem të sekretarëve të Parë, madje edhe djalin e një nënkryetari të Komisionit të Dëbim Internimeve ndaj njerëzve që iu arratiseshin të afërmit në Amerikë, tek flet në emër të proamerikanizmit, është si të besosh Sabattai Zevin, duke kënduar sure islame në xhami”, vijon ish-ambasadori(http://www.panorama.com.al/reforma-mbaroi-kush-jane-pro-dhe-antiamerika…).

 Pavarësisht qasjes dhe anshmërisë, sentimenti që provokohet në këtë situatë që është krijuar është legjitim, pasi është vërtet mençuri dhe zgjuarësi të ndryshosh Mendimin për gjërat, por jo të Ndryshosh Pllakën në këtë farë feje. Nuk është çudi që edhe ai Instituti për Kujtesën që po krijohet aktualisht, të jetë një nismë për të shpërndarë ca rroga, njësoj sikurse një mënyrë institucionale, për të transferuar dijen historiografike për Luftën Nacionalçlirimtare nga premisat e aleancës me popujt sovjetikë, në një luftë drejtimi kryesor i së cilës ishte aleanca me anglo-amerikanët. Në Shqipëri jetojmë, ndodh çdo gjë.