Ka disa ditë që kryeministri në vetë të parë, përmes profilit të vet në Facebook poston rregullisht copëza të asaj që e quan Rilindje Urbane të Shqipërisë. Shkolla të rikosntruktuara, sheshe publike në qytete të Shqipërisë ku është bërë ndërhyrje, projekte për teatro etj.. Një galeri suksesesh dhe projektesh që emfatizohen si përpjekja për ringjalljen e vlerave komunitare. Ndonëse këto punë kanë vlerën e tyre dhe nuk ka pse të mos vlerësohen, është e pavend që ato të marketohen nga kryeministri përtej një statistike të përgjithshme, pse sfidat e Shqipërisë janë të tilla që nuk zbuten me grimim në rrjetet sociale. Punët që u takojnë njësive vendore, apo ministrisë së Arsimit, edhe këto punë botore siç i thoshin qëmoti, janë ilustrime të investimeve publike, por sa vallë ato janë shprehi e ndonjë politike të qëndrueshme dhe strategjie zhvillimi, kjo është shumë e dyshimtë. Pasi në nivel shifrash është e qartë se investimet publike dhe rikonstruksionet në 8 vite qeverisje të PD-së, janë shumë të mëdha krahasuar me këto të qeverisë së majtë. Dhe këtë nuk e përgënjeshtron dot as PR i një kryeministri që mburret me punë që edhe nuk i shkojnë aq shumë me rolin që ka.