Ilir Meta doli sot “rastësisht” me një prononcim të radhës në “Report Tv”. I pyetur për zhvillimet e fundit, nenin për mediat dhe SPAK-un, kreu i LSI-së është përgjigjur se do të ketë përmirësime. Duke kërkuar të shesë qetësinë pas stuhisë, Meta, njësoj si kolegu i tij kryeministër, ia ka faturuar fantazisë së mediave idenë e përçarjes me PS-në. Tha Ilir Meta: “Këto zëra asnjëherë nuk do të pushojnë edhe kur takohemi drejtpërdrejtë edhe kur komunikojmë në distancë. Por unë besoj se edhe fakti që pas një angazhimi, një zhurme të madhe të gjithë politikës deri më 21 korrik, gjithë kjoqetësi kaq e madhe vështirë që të pranohet nga mediat krijuese. Kështu që gjithmonë do të ketë krijimtari, do të ketë portale dhe lajme nga më të ndryshmet”.

Kjo deklaratë vjen nga i njëjti njeri që doli në selinë e Kuvendit dhe me fytyrë të skuqur, pa kollare, duke dhënë e duke marrë me duar, fliste për burgun dhe shantazhin, për qeveri teknike dhe për konsensusin. Por sa mund të presësh seriozitet nga politikanë që kanë axhendë të kushtëzuar vetëm nga interesi monetar dhe nga kacavjerrja pas ndonjë miku të huaj që paguhet mirë?

Edhe njëherë: lloji i fitores që shpalli politika më 21 korrik, parathotë llojin e aleancave për vitin 2017. Sa për politikanin në fjalë, të cilit tanimë i doli kallaji i “malësorit që kur thotë “po” është “po””, mund të kujtojmë se në qershor nuk fliste, në korrik i shkelte syrin dhe luante me PD-në, kurse në gusht, e ka kapur dalldia që të qetësojë pak kryeministrin Edi Rama. Sa për veten, atë me siguri do ta qetësojë në festën e Kulmakut që është tani nga fundi i gushti, ku do bëjë kurban për LSI-në, që është njësoj si kurban për Shqipërinë. Më poshtë video e konferencës për shtyp të Ilir Metës mbajtur në datë 17 korrik, ku Iliri kishte humbur qetësinë: