Autostrada Tiranë-Elbasan, një nga investimet më strategjike të qeverisë së kaluar rrezikon të mbetet e papërfunduar. Kompania greke "Aktor", e kontraktuar nga qeveria shqiptare për ndërtimin e rrugës, rezulton të ketë dhjetëra milionë euro borxhe.
“Të dhënat e saj financiare, pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit tregojnë se borxhi i “Aktor” në fund të vitit të kaluar ishte 7.4 miliardë lekë, ose 54 milionë euro. Më shumë se gjysma e këtij borxhi, rezulton të jetë ndaj furnitorëve të shoqërise”, raporton “Abc News”.
Mbi 2 miliardë lekë janë borxhe të krijuara nga kreditë e marra, ndërsa punonjësve të saj kompania u detyrohet 2.8 milionë lekë. Kompania që fitoi tenderin katër vite më parë, raporton se në 2015-ën ka pasur një humbje financiare prej 1.2 mld lekësh. Vonesat lindën qëkur kompania pezulloi punimet mbi një vit më parë me pretendimin e një fondi shtesë për zonën e rrëshqitshme.
Por duket se shtesa e këtij fondi nuk mund t’ia zgjidhë problemet. Edhe pse qeveria ofroi mbi 15 miliardë lekë për punimet e tunelit, “Aktor” u ofrua të mbyllte punimet me një vlerë 40% më të ulët. Prej më shumë se një viti, kompania ka kërkuar një vlerë shtesë financimi prej 60 milionë eurosh, për punimet shtesë, sipas saj në Ibë, zonë ku ka shembje të herëpashershme.