Fushata elektorale për zgjedhjet vendore në Dibër ka marrë përmasa komike. Në ndihmë të kandidatit të majtë, doktorit Muharrem Rama janë vënë ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, i akuzuar për faturën 472 milionë euro dëm ndaj shtetit shqiptar dhe Sadri Abazi, deputeti që figuron si i preferuar në disa tendera të zhvilluar së fundmi.

Zgjedhjet vijnë pas skandalit me ish-kryetarin Shukri Xhelili, i kapur në një video me përmbajtje të sikletshme, e të cilin kryeministri Edi Rama e lëshoi si pa të keq. Në ndryshim nga Elvis Roshi i Kavajës, pasi siç thonë burime nga PS-ja, Xhelili kishte kohë që ishte në konflikt me Ramën.

Por si po e zhvillojnë fushatën socialistët? Përgjigja e menjëhershme e kësaj pyetjeje është:

Sikur të mos kishin asnjë përgjegjësi për atë njeri që u vunë dibranëve në krye të bashkisë.

Sadri Abazi ka deklaruar sot se do të bëhet reforma në drejtësi, duke kërcënuar ish-kryeministrin Sali Berisha. Diçka krejt pa lidhje me punët e Bashkisë në Peshkopi.

 “E keni parë sa shumë më shan mua Saliu tani?! Ai e di se influenca ime në Dibër është shumë e madhe, ndaj më shan që t’ju mbushë mendjen dibranëve se Sadriu është burrë i keq dhe mos votoni Muharemin. Po çfarë lidhje ka kjo?! Unë e kam treguar me fakte dhe burrëri se para dibranëve jam burrë i mirë, por para Saliut nuk mund të jem. Kudo që kam shkuar Saliun e kam mund, kjo është e gjitha. Do ta mund prap Saliun e ti them ‘O plak, rri atje në shpi, Zenin tat nuk e mbron dot ti. Fol sa të duash për Sadriun, për Edi Ramën, për Muharem Ramën, për Damian Gjiknurin e për Saimir Tahirin. Nuk e mbron dot Zenin. 25 vite e ke poshtëruar shqiptarin. Tani thotë është komunist Sadriu! More, kush është komunist, Saliu apo Sadriu?!”, u shpreh deputeti Sadri Abazi.

Kurse ministri Gjiknuri, njeriu i qindra milionë eurove, preferoi të fliste për njeriun e duhur:

“Të gjitha sondazhet, të gjitha të dhënat na thonë se kandidatura e doktor Muharemit merr vota majtas e dhjathtas sepse mbi të gjitha është njeriu i duhur. E kanë sulmuar doktorin, javën e parë nxorën akuza me drogë e idotësi të tjera. Tani kanë filluar thonë do të blihet vota. Po a ka ofendim më të madh për popullin?! Kjo tregon se ata po vulosin humbjen dhe duan të ofendojnë të gjithë dibranët e ndershëm?!”, u shpreh Gjiknuri.

E njëjta gjuhë që kalon në paradën e veshëve të njerëzve e cila parathotë atë fushatë që do të bëjë PS-ja edhe në vitin 2017. E cila ka si devizë një mesazh: Shyqyr që është Saliu.