Ardhja më pushtet e koalicionit për Shqipërinë Europiane iu prezantua publikut si një tren me kurs të konfirmuar europian, për arsye që lidheshin me qasjen reformatore të liderëve të koalicionit qeverisës. Kësisoj edhe hapja e negociatave me Bashkimin Europian u konsiderua si punë e kryer që do të finalizohej me mbylljen e disa kleçkave që lidheshin me antieuropianizmin e opozitës.
Brukseli nuk e hapi dritën jeshile për negociata dhe qeveria na sugjeroi të prisnim vjeshtën e ardhshme. Vizita në Tiranë e kancelares Merkel sikur rriti optimizmin, por sërish nuk i dha qeverisë atë që kërkonte qyl nga BE. Qënia e Edi Ramës kryeministër nuk mjaftoi që Brukseli të merrte seriozisht qeverinë. Kur po mbyllet viti i tretë nga BE vjen refuzimi i radhës. S'ka negociata pa vjelë frytet e reformës në drejtësi dhe pa dërguar në burg "peshqit" e mëdhenj. Komisioneri Johannes Hahn që negocioi marrëveshjen e 21 korrikut la të kuptohet në konferencën e sotme për shtyp se Shqipëria ka rrugë të gjatë përpara dhe se nuk mund t'ia hedhë Bashkimit Evropian me reforma vetëm në letër.
"Mendoj se reforma në drejtësi është shumë vendimtare, është baza dhe nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e saj, por sidomos për zbatimin. Ndaj dhe ne presim të ndërmerren veprime vendimtare për të kryer hetime proaktive. E dimë se në rajon policia ka qenë gjithnjë e mirë, por ka pasur probleme në gjyqësor. Pas hetimit, do të vijoni me procedimet dhe pastaj dënimet. Dhe rezultatet do shihen pikërisht këtu. Sepse ne kemi parë disa gjyqe dhe vendime, por për disa peshq të vegjël ose të mesëm, por do shpresoja që të shikonim dhe peshq të mëdhenj dhe vetëm atëherë do mund të themi se ka arritje domethënëse në këtë sektor. Por kjo s’ka të bëjë vetëm me Shqipërinë dhe rajonin, por haset kudo. Por përsa i përket Shqipërisë, duhet të shohim se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim"-deklaroi Hahn.