Ditët e zgjedhjeve në Shqipëri janë nga më të ngarkuarat politikisht dhe nga kjo traditë nuk bën përjashtim as procesi për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë së Dibrës. Tensioni është i dukshëm tek të dyja palët, çka ëshrë reflektuar edhe në deklaratat për shtyp.
Partia Demokratike akuzoi për blerje votash në Maqellarë zyrtarin e Drejtorisë së Tatimeve Artan Isaku, vartës i shtetasit Dionis Ymeri me detyre Drejtor i Tatimeve për Dibrën. Në deklaratë thuhet se "Shtabi Elektoral i Partisë Demokratike ka marrë informacion për shpërndarjen e parave, thaseve me miell si dhe perpjekje per shantazhe ndaj votuesve gjatë natës së mbremshme nga disa grupe të strukturuara kriminale të drejtuara nga administratorë, kryepleq dhe drejtorë e zyrtare të administratës publike, nën mbrojtjen e nje grupi punonjesish te policisë të drejtuar nga kryekrimineli Bert Aga".
Nga ana tjetër, shtabi elektoral i Partisë Socialiste denoncoi presionin që sipas saj po ushtrohet nga funksionarë dhe militanë të Partisë Demokratike. Sipas tyre "Gjatë natës së kaluar, deputeti Flamur Noka, shoferi i tij dhe militantë të tjerë të kësaj force politike kanë ngritur postoblloqe në zonën e Maqellarës duke kontrolluar automjetet dhe dhunuar qytetarët". Ky denoncim i Partisë Socialiste është raportuar si ngjarje edhe nga policia që thotë se i ka referuar të dhënat në Prokurori. Zgjedhjet për bashkinë e Dibrës shihen edhe si një test, pak muaj para zgjedhjeve të parakohshme, ndaj dhe asnjë nga nuk do ta dëshironte humbjen.