Mbajeni hapur televizorin këto ditë. Ndiqeni me vëmendje. Lëvizja Socialiste për Integrim po zhvillon zgjedhjet për kryetar, ku merr pjesë shkëlqesia e tij, Ilir Meta, i cili në vitin 2004 kur themeloi partinë caktoi si normë statutore zgjedhjen vetëm për dy mandate. Kanë kaluar 12 vjet, por dëshira e anëtarësisë nuk e lë Ilir Metën të shqitet nga partia e për pasojë as nga Shqipëria. Dekor në këtë maskaradë demokracie është Shezai Rrokaj, profesor gjuhësie, i cili në ndryshim nga sa pritet nga akademikët, ka dëshmuar frymë të lartë partishmërie. Gjithsesi, jemi në një pikë kur zgjedhjet në komunitete të tilla që i quajnë parti, janë çështje vetëm e partive.

Rëndësi këtu ka ajo që ka thënë Ilir Meta, i cili siç shprehet ndonjë analist që e ka të majtën e tipit shqiptar, dashuri të përjetshme, përdor një gjuhë “të kriptuar”. Çfarë ka thënë Ilir Meta sot e që nuk duhet ta humbasim? Ka folur për garën presidenciale, ka folur për bujqësinë, ka folur për miqtë europianë.

“Nuk kam asnjë koment për gara të pashpallura. Gara vetme ku marr pjesë është ajo e LSI-së, që e konsideroj si sfidë për lëvizje të metejshme që do ta nis nga Korça. Këtu jemi për çështjen e mollëve. Unë e kam një përgjigje që e ardhmja e Shqipërisë është bujqësia dhe jo kanabis prandaj politika duhet të marrë vendim dhe jo t’i shmanget. Por dhe partnerët europianë. Në këtë drejtim është e rëndësishme që të vendoset se si do të sillemi në të ardhmen për këtë fenomen”, tha Meta.
Përtej humorit që është i vetmi serum në këtë klimë bajate, duhet thënë se Ilir Meta President, është kauza më e natyrshme për protesta që jo vetëm konsumojnë mjetet demokratike, por edhe i tejkalojnë ato. Një poshtërim i tillë është padyshim i paprecedent dhe për ata lehës politikë që e promvojnë me urdhër kandidaturën e tij, po kujtojmë çfarë u thuhej njerëzve pak kohë më parë.

Këtu një moment kur Iliri humb qetësinë:

PS: Edi Rama ra dakord që ai të ishte president që në vitin 2012, pra pas 21 janarit. Kjo sa për një provë më shumë se kryeministri aktual u beson dhe vlerëson vetë XHEPAT e tij.