Urdhëri i Mjekut nuk e ka pritur mirë arrestimin e dy mjekëve të materniteti Koço Glozheni për vdekjen e 35 vjeçares Aida çajko, nënë e dy fëmijëve në muajin e nëntë të shtatzanisë. Në një deklaratë të këtij Urdhri vihet në dukje nxitimi i policisë për të kryer arrestimin e dy mjekëve.
"Ne jemi kategorikisht kundër qendrimeve dhe masave të parakohshme, emocionale dhe ekstreme që çojnë në arrestimin e mjekëve pa u provuar dhe argumentuar fajësia e tyre, pa u sqaruar nëse kemi të bëjmë me mjekim të pakujdesshëm (neglizhencë), gabim mjekësor apo mangësi të organizimit dhe bashkërendimit institucional dhe ndërinstitucional që nevojitet në të tilla raste.
Masat ekstreme dhe të nxituara nuk kanë asnjë efekt dobiprurës në përmirësimin e shërbimit shëndetësor por përkundrazi thellojnë krizën e besimit të publikut ndaj bluzave të bardha dhe sistemit shëndetësor në tërësi" thuhet në deklaratë.
Më tepër duket një deklaratë e nxitur nga Ministria e Shëndetësisë, e cila reagoi dy ditë më parë me të njëjtën përmbajtje, ku kërkonte të mos hidhej barra mbi mjekët pa dalë më parë konkluzionet e plota dhe të mos dilej në përfundime emocionale. Po ashtu edhe drejtoresha e maternitetit Koço Glozheni, Rubena Moisiu shprehu të njëjtin qëndrim se përfundimet e nxituara ulin besimin e publikut te sistemi shëndetësor.