Miliona euro xhiro në biznesin e riciklimit të mbetjeve për LSI-në janë një realitet që nuk duhet injoruar dhe argument që Shqipëria të lejojë importin e plehrave. Sot Petrit Vasili ka bërë teatrin e radhës, duke u përpjekjur të tregojë ndjeshmërinë e LSI-së ndaj shqetësimeve të shoqërisë civile lidhur me importin e mbetjeve.

“Është një investim dhjetëra milionësh në të cilin janë punësuar mijëra njerëz. Pra është realitet që funksionon prej vitesh. Ka një sensibilitet që shoqërohet me mosbesim të thellë. Shoqëria civile ka qenë në radhën e parë për këtë dhe ka reflektuar shqetësimin e të gjithë qytetarëve", tha krahu i djathtë i Ilir Metës në LSI.

Nismës së Eduard Shalsit, LSI i ka shtuar një amendament ku propozohet që shoqërisë civile duhet t’i mundësohet aksesi në monitorimin e të gjithë procesit të importit dhe riciklimit të mbetjeve.

"Amendamenti i propozuar nga ne zgjidh një çështje madhore, pra e shëron këtë mosbesim. Ai ka dimension të tijin transparencën ndaj procesit. Ne kemi propozuar një pikë shtesë, e cila i mundëson shoqërisë civile të jetë garant në këtë proces, ta ndjekë në mënyrë direkte dhe të ketë mundësi të pajiset me dokumentacionin e kësaj hyrjeje në të gjitha doganat e vendit. Ky raport merr një përgjigje të drejtpërdrejtë, pasi duke i prekur gjërat ka mundësi të monitorohet plotësisht. Amendamenti i firmosur është shprehja e mendimit të të gjithë grupit parlamentar. Kjo është një përgjigje e drejtpërdrejtë dhe të gjitha palët janë përballë njëri-tjetrit për të parë zbatimin e procesit”, tha Vasili.