Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mendon se zgjedhjet e vitit 2017 rrezikohen nga manipulimi. Gjatë në takimi të zhvilluar sot me bashkëreporterët e Këshillit të Evropës për Shqipërinë, Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, në një vizitë faktmbledhëse në Tiranë, Nishani ka shtruar në diskutim problemet eventuale që kërcënojnë procesin zgjedhor.
“Duke u ndalur në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kreu i Shtetit vuri në dukje shqetësimin e thellë mbi rrezikun që i kanoset institucionit të votës së lirë dhe penetrimit gjithnjë e më të hapur të krimit në manipulimin dhe tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve. Presidenti Nishani theksoi se ky është një rrezik eminent që i kanoset demokracisë shqiptare, i cili duhet adresuar pa humbur kohë dhe në mënyrë të prerë nga të gjithë aktorët, përfshirë asistencën nga partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Po kështu, Nishani ka folur për një trajtim me dy standarde të pronarëve, që sipas tij buron nga ligji i ri i miratuar në Kuvend.
“Presidenti Nishani shprehu gjithashtu shqetësimin e përsëritur mbi trajtimin me dy standarde që iu bëhet trajtimit të pronarëve të hershëm dhe të rinj në vend, si një akt që cenon rëndë të drejtat e njeriut dhe krijon hapësira dhe mekanizma nxitës të korrupsionit, duke thelluar më tej plagët sociale dhe ekonomike që ka në vend në lidhje me këtë çështje thelbësore”, njofton presidenca.