Dy ambasadorët kryesorë në Tiranë, Romana Vlahutin e BE-së dhe Donald Lu i SHBA-së po marrin një rol publik krejt të papranueshëm e që nuk mund të justifikohet më me asgjë. Këshilltarë të popullit shqiptar, akordues të telave antikorrupsion, paralel me çdo institucion, dy diplomatët përftojnë pamjen e një partie politike informale. Sot, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Romana Vlahutin tha ndër të tjera:

“Komisioni i Venecias është pika kryesore  e referimit për të dhënë përgjigjen përfundimtare për Gjykatën Kushtetuese lidhur me ligjin e Vettingut, sepse reforma në gjyqësor duhet të implementohet dhe Shqipëria të bëjë hapin e radhës në BE dhe ky progres do të jetë në të mirë të qytetarëve”.

A mund të jetë kështu? Kujtojmë se ligji u çua në Komisionin e Venecias me iniciativë të Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkoi mendim. Por kjo nuk do të thotë aspak se formalisht Gjykata ka ndërruar referencat për punën e vet. Pika kryesore e referencës në punën e gjykatës është vetëm Kushtetuta dhe asgjë tjetër nuk e prevalon atë. Politikisht vlerësimet mund të përfshijnë çdo gjë, por në deklarimet e një ambasadoreje nuk ka sesi të tolerohet një qëndrim rekomandues për Gjykatën. Paralelisht me këtë deklaratë, ambasadori Donald Lu ka deklaruar se lirimi nga burgu i Lul Berishës është një akt i papranueshëm.

Mund të pyesim: Pse nuk flet kryeministri Edi Rama që i ka kaq për zemër këto sulme? Apo më mirë mos duhet të pyesim: Po kryeministrit ja mban të bëjë një sulm për rastin Berisha?

Sa për z. Lu kujtojmë se asnjë fjalë nuk tha kur prokuroria doli me vendim për Artur Bushin, kryebashkiak i Krujës, që e cilësoi si një njeri të pastër. Në fund të fundit z. Lu po jep gjykime mbi vendime institucionesh të pavarura në planin kushtetues, ndaj është e paqartë se pse bëhet ky diferencim. Mundet të shtojmë heshtjen që u mbajt nga të gjithë për bllokimin që gjykata i bëri prokurorisë në zbardhjen e praktikës së ILDKPI-së për pasurinë e zyrtarëve të lartë. Një agjenci qeveritare që për një vit nuk ka lvizur nga vendi. Apo për rastin Roshi në Kavajë, që njëherë dha dorëheqjen, e sot vazhdon punën. Ndoshta z. Lu nuk preferon të dalë më tutje Tiranës, edhe pse e cilëson Shqipërinë një vend të mrekullueshëm.  

Këtu nuk ka çfarë të shtosh më. Të flasësh në ditën kundër Korrupsionit për korrupsionin e një pale, më së paku minon atë kredibilitet që të nevojitet për të drejtuar këtë proces reforme në mënyrë të ndershme. Kjo s’ka të bëjë aspak me mbajtjen e në krahu, apo me hallin e Berishës, një aleat i ngushtë i amerikanëve për një kohë të gjatë. Por ka të bëjë me faktin se kjo përralla për “Ligje dhe Drejtësi” që vjen nga selitë diplomatike, sepse të kujton për herë e më shumë partinë Spartak Ngjelës.