Sot është zhvilluar një seancë e Komisionit Parlamentar Hetimor për pajisjen përgjuese ku kanë qenë për të dëshmuar ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako.

Në parantezë duhet të theksojmë se nga kësi komisionesh opinioni publik nuk duhet të presë asgjë nga opozita e Partisë Demokratike, e cila operon aty me zhurmë paralelisht me komisionin për CEZ ku është thirrur Sali Berisha. Jemi pra në kushtet e një pazari të hapur.

Por qëndrimi i ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Policisë implikon rëndë seriozitetin e përfaqësuesve të qeverisë në barazinë para ligjit.

“Jam në dijeni për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës time në bazë të ligjit. Për çdo çështje tjetër ju këshilloj t’i drejtoheni institucioneve përkatëse. Për çështjen në fjalë ka një hetim nga prokuroria dhe ju këshilloj ti drejtoheni asaj. Nëse s’ju pëlqejnë përgjigjet e mia jeni të hapur të bëni edhe kallëzim, kjo është përgjigja ime”, tha ministri Tahiri.

 

Kurse drejtori i Policisë Çako tha se të dhënat për pajisjen përgjuese, Imsi Catcher, janë të klasifikuara.

Një sjellje injoruese vjen pak ditë pasi në media kanë dalë lajme se qeveria po përgatit një projektligj për përgjimin, që u jep të drejtë agjencive qeveritare, policisë dhe SHISH të kërkojnë komunikimet telefonike dhe elektronike pa patur urdhër gjykate në emër të parandalimit të krimeve dhe luftës ndaj terrorizmit. Këto të drejta që qeveria ja njeh vetes kanë ndeshur në kundërshtimin e ministrit të Drejtësisë, motivet e të cilit nuk kanë rëndësi. Rëndësi kanë argumentet për potencialin invadues që ka një ligj i tillë në privatësinë e qytetarëve dhe në marrjen e kompetencave që vënë në diskutim garancitë kushtetuese që ekzistojnë sot. Një shembull për të davaritur skepticizmin mund të jepte ministri me drejtorin e Policisë të cilët morën ngjyrë të verdhë gjatë verës kur skandali plasi në media. Por me sa duket nuk është kjo qeveria dhe këta nuk janë qeveritarët që drejtojnë nën forcën e shembullit, por nën shembullin e forcës. Diçka që shqiptarët e njohin mirë. Janë aktualisht një seri ligjesh dhe sjelljesh që po e konvergojnë aksionin kundërshtues ndaj kësaj qeverie tek dhuna, pasi paradoksalisht kemi një qeveri që nuk kujdeset për ulje tensionesh, por për mbjellje të tyre. Të cilat nisin nga poshtërimi i qyetarëve të thjeshtë me akte të tilla shpërfilljeje.