Rusia, Turqia dhe Irani u shprehën të gatshme për të garantuar vijimin e bisedimeve për paqe mes forcave qeveritare të presidentit Asad dhe rebelëve opozitarë. Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov, u takua këtë të martë në Moskë me homologun e tij turk Mevlut Çavushogllu dhe atë iranian Zhavad Zarif, për të synuar zgjerimin  e armëpushimit të vendosur në Alepo edhe në qytetet e tjera të vendit.

Lavrov tha se u gjet gjuha e përbashkët për një marrëveshje tejet domethënëse në këtë takim. Një nga pikat që tre kryediplomatët nënvizuan ishte dërgimi i ndihmave humanitare në Siri dhe shpëtimi i menjëhershëm i civilëve që po jetojnë nën bomba.

Sipas deklaratës së përbashkët zyrtare, theksohet se tre vendet, të përfshira krejtësisht në luftën e Sirisë, janë të bindura se zgjidhja nuk është ajo ushtarake, por nevojitet një proces politik, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Takimi i ministrave të jashtëm në Moskë vjen një ditë pas vrasjes së ambasadorit rus në Turqi, Andrei Karlov, nga një oficer i policisë turke. Presidenti rus Vladimir Putin e konsideroi atentatin si një provokim dhe një tentativë për të minuar procesin e paqes në Siri.