Dje Asambleja e Partisë Socialiste vendosi që të rikthejë në radhët e saj si anëtarë disa njerëz që identifikohen me qeverisjen e Fatos Nanos.

“Mësohet se pjesë e listës emërore që i shtohen Asamblesë Kombëtare, janë ish­ministri i Arsimit në kohën e Fatos Nanos, Et’hem Ruka, ish­ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga dhe ish­ministri Ilir Zela i njohur si mbështetës i ish­kreut të PS­së. Përveç tyre pjesë e listës së Asamblesë Kombëtare është bërë edhe ish-deputeti Bukurosh Stafa i cilësuar edhe si “tradhtar” nga Socialistët, pasi votoi pro zgjedhjes së Bamir Topit President në vitin 2006-të, vendim që i kushtoi edhe përjashtimin”, raportonte News24.

Krahas këtij lajmi dhe dorëheqjes së detyruar  të Koço Kokëdhimës, nga përfaqësues të ndryshëm të PS-së, kryeministri dhe ndonjë deputet që vrapon t’i plotësojë hijen, u deklarua me të madhe se sipas disa sondazheve rezulton se PS-ja ka aktualisht mbështetjen më të madhe në 25 vite. “Merr 71 deputetë vetë”, tha një prej përfaqësuesve.  Por kjo sërish nuk e pengon PS-në që njësoj si në vitin 1997, të kërkojë aleancën strategjike me LSI-në.

Mund të pyetet: për cilat arsye bëhet ky kooptim simbolik kur mbështetja është rritur? Themi simbolik pasi këta njerëz që përmenden këtu siç u morën ashtu edhe hiqen prapë pa asnjë kosto. Po kështu, Edi Rama nuk harroi të listonte të gjitha ankesat që i kanë ardhur për LSI-në, sidomos ankesa që ajo është një parti hajdutësh. Por sërish apeloi për aleancën strategjike.

Pse duhen marrë këto kosto kur ekziston mbështetja? Ja një pyetje që shtrohet vetiu duke patur parasysh se PS-ja ka në krye një kryetar me mandat të paligjshëm.

Kësaj pyetjeje nuk ka nevojë të jesh anëtar PS-je t’i japësh përgjigje. Këto janë disa operacione të vockla që synojnë të japin mesazhe bashkimi, në kushtet kur PS-ja po plasaritet nga disa ikje. Synojnë të mbledhin atë që mund të mblidhet pas rreth 4 vitesh të një batërdie vjedhjeje mbi shtetin, të një zvarritjeje pa fund me alibinë e reformës së drejtësisë dhe të një të keqeje të trashëguar.

Por ky manovrim i pushtetit është legjitim, parë nga perspektiva e interesave të pushtetit. Çfarë habit është ky mesazh i Et’hem Rukës, që thonë se është profesor:

“Gjej rastin te falenderoj gjithe anetaret e Asamblese Kombetare te PS qe votuan per rikthimin tim ne kete forum te rendesishem politik. E konsideroj nje vleresim, megjithese brenda ose jashte ketij forumi, kontributi im dhe i kolegeve te gjenerates sime mbetet i njejte me ate diteve te para te themelimit te kesaj force te madhe politike”.

Ka një fije dinjiteti në këtë vend apo ka marrë arratinë? Pyesim sepse z. Ruka duhet të na sqarojë se a ka një arsye publike, ka një shpjegim se përse e hoqën nga Asambleja? Mirë për Kokëdhimën dhe Kastriot Islami u shpall armiqësia, po për Rukën, Hajdaragan, Ilir Zelën, çfarë kriteri u ndoq? Sepse po flasim për karriera – të paktën ajo e Rukës dhe Hajdaragës – që nuk janë katapultime.

Cili është mesazhi që përcjellin këta profesorë të cilët janë në politikë njësoj me Sali Berishën? Përgjigja është vetëm një: mesazhi i tyre dekodohet vetëm nga socialistët dhe merr kuptim në atë emëruesin e përbashkët politik të asaj partie që gëlltit çdo gjë duke e shitur si kontribut për parime. Gjithsesi, suksese z. Ruka dhe të tjerët! Ta kini me jetë partinë dhe kryetarin!