Ambasada e Rusisë në Tiranë ka reaguar sot rreth raportimit që media shqiptare i bëri deklaratave të ministrit të Jashtëm rus, Sergej Lavrov mes të cilave u veçua apeli i tij që në Veri të Kosovës të mos ketë prezencë të forcave shqiptare të sigurisë. Ambsada deklaron se deklaratat e Lavrov janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe me këtë rast përcjell të plotë mesazhin e tij për këtë çështje:

 

Duke qënë se sot në mediat shqiptare janë publikuar disa komente të Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov, të cilat janë nxjerrë jashtë kontekstit dhe e shtrembërojnë mesazhin e tij lidhur me trenin Beograd-Mitrovicë, ju ftojmë ta lexoni më poshtë tekstin e saktë të deklaratës së Ministrit, bërë dje në Moskë gjatë konferencës së përvitshme për shtyp:

“Për sa i përket situatës me trenin... mund të them vetëm një gjë: Bashkimi Evropian duhet ta zbusë këtë situatë dhe ta sigurojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura midis Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësim të Brukselit, të cilat parashikojnë, së pari, që të mos cenohet liria e lëvizjes së njerëzve dhe, e dyta, që në veri të Kosovës, aty ku jeton popullsia serbe, të mos jenë të pranishme struktura shqiptare të sigurisë”.