Partia Demokrattike ka ngritur disa pikëpyetje mbi një udhëtim me çarter sipas saj të kryebashkiakut Erion Veliaj dy ditë më parë. Kordinatorja e marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma sqaroi se:
Dy ditë më parë, të hënën, në orën 9 e 20 të mengjesit është ulur në Rinas një avion çarter i kompanisë AVCON-JET. 40 minuta më pas, ky avion është rinisur për në Paris, dhe në bord ishin 3 pilotë, Erjon Veliaj, Arbër Mazniku, Juli Dhamo dhe biznesmeni që erdhi, i mori e i shoqëroi në Paris, Artan Sheqeri. Përse Erjon Veliaj e mohon këtë udhëtim? Pse fluturon me çarter për në Paris me kosto të paktën 60-70 mijë euro? Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter? A e pagoi biznesmeni Sheqeri këtë udhëtim? Cfarë interesash ka biznesmeni Sheqeri me bashkinë? A është i lidhur biznesmeni i çarterit me biznesin e plehrave ku u vra Ardit Gjoklaj?
Por bashkia e Tiranës e konsideroi këtë deklaratë një shpifje duke publikuar biletën e udhëtimit drejt Milanos dhe jo Parisit si dhe dy linqe nga aktivitetet e kryebashkiakut në 16 janar. Sipas Bashkisë, Veliaj pasi inspektoi punimet e një kopshti udhëtoi për në Itali me një kompani fluturimi “lou kost” për të vizituar deputetin e PS-së, Bashkim Fino, i cili po kurohet aty prej disa ditësh dhe në mbrëmje është kthyer në Tiranë.
Vetë kryetari i bashkisë shfrytëzoi një aktivitet propagandistik për të lexuar axhendën e ngjeshur të ditës së hënë, ku sipas tij ka qenë përgjatë gjithë kohës në Tiranë. Ai akuzoi Partinë Demokratike për shpifje dhe nën kostumin e politikanit, siç e cilësoi veten, shprehu keqardhjen që Shqipëria është pa opozitë. Por kryebashkiaku nuk u dha përgjigje pyetjeve edhe nëse ato janë të gabuara apo të sajuara, nuk mohoi njohjet me biznesmenin në fjalë dhe nuk provoi nëse ka udhëtuar ose jo me çarter.