Lajmi – foto i disa ushtarëve grekë me origjinë shqiptare që bëjnë shenjën e shqiponjës, ka mbërritur deri te pragu i nuhatjes politike të deputetëve shqiptarë. Që ndonjë gazetar “patriot” që ka marrë përsipër të provojë edhe autoktoninë e reve në Shqipëri të mund të shkruajnë ndonjë fjalë qiriri për këtë ngjarje pritet, por që deputetë të Komisionit të Sigurisë të mbajnë shënim për të kërkuar zgjidhje diplomatike, kjo është diçka që nuk është shumë normale.

Së pari duhet thënë se lajmi foto nuk është marrë vesh si ka dalë në media, ku është shkrepur fotoja etj.. Ka disa raportime dhe deklarata zyrtare nga shteti grek, që fotoja ka për protagonisë disa të rinj me origjinë shqiptare që kanë nënshtetësi greke që kanë bërë Betimin në ushtrinë e vendit fqinj. Simboli i performuar prej tyre është nën uniformë ushtarake dhe gjykimi I tyre duhet bërë sipas Kodit ushtarak, njësoj siç do duhej të vepronte shteti shqiptar nëse ndonjë ushtar – nëse ka të tillë – i ushtrisë së saj do të mbante për këllëf jastëku në kazermë flamurin e Vorio Epirit të Spiro Milos.

Por me tjetër standard mendon deputeti Piro Lutaj:

“Është e disata herë radhazi, që shteti racist grek ndërmerr masa të tilla ekstreme ndaj shtetasve të vet, duke mos iu respektuar liritë themelore të parashikuara jo vetëm në konventat europiane e ndërkombëtare, por edhe në legjislacionin e brendshëm të tyre. Bërja e simbolit të shqiponjës nga rekrutët me origjinë shqiptare, nuk kishte asnje arsye qe të konsiderohej e rrezikshme nga autoritetet greke te Ministrisë së Mbrojtjes.

Është njëlloj sikur autoritetet shqiptare të merrnin masa ndaj dhjetëra flamujve grekë, të cilët janë vendosur kudo nëpër banesa të shtetasve shqiptarë, kryesisht në jug të vendit. Megjithatë ky lloj presioni që vjen nga ministri grek i mbrojtjes, është i përsëritur dhe i ulët, e për më tepër ndaj një fqinji dhe homologu anëtar i NATO-s. E kuptoj pozitën e vështirë politike të Panos Kamenos, i cili ndodhet në pikiatë elektorale, por kjo nuk e motivon atë në përdorimin e gjesteve të tillë në dëm të reciprocitetit mes dy fqinjve për të realizuar qëllimet e tij personale. Shpresojmë për një zgjidhje diplomatike me qeverinë greke të këtij problemi, dhe mospërsëritjen e tij në të ardhmen”, shprehet deputeti socialist.

http://www.gazetatema.net/ëeb/2017/01/24/deputeti-socialist-shperthen-ndaj-greqise-shtet-racist-ne-kemi-dhjetra-flamuj-greke-ne-shqiperi-dhe-si-heqim/

Sigurisht që për ngjarje të tilla palët nga të dyja anët e kufirit kapin momentin elektoral dhe përvishen për të bërë patriotin. Ndaj nuk kemi pse të presim ndonjë nivel intelektual më shumë se kaq nga Pirro Lutoja i Komisionit të Sigurisë. Vetëm se nëse Kamenos bën fushatë, duhet kujtuar ushtarët kanë nënshtetësi greke dhe për ta përgjigjet shteti grek. Kamenos i pari që është ministër. Çfarë zgjidhje diplomatike do kërkojë Pirro Lutaj? Pse nuk u bë i gjallë ky deputet kur ndodhi kjo ngjarje:

 http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/largimet-nga-renea-kmsh-takim-ne-polici/

Pyesim që të paktën t’ia referojë ministrit të Jashtëm Bushati, që mbase nuk sheh dritare për të vepruar kur disa persona në moshë madhore kanë vendosur të shprehin lirisht bindjen e tyre, bashkë me përgjegjësinë që pason.

Z. Lutaj ndoshta duhet ta marrë më seriozisht veten dhe Facebook ku poston pasi të paktën në kohën kur atij i binte të bënte ushtrinë, lodra të tilla në Shqipërinë e asaj kohe dënoheshin jo pak, dhe jo sipas ndonjë kodi komunist, por sipas një norme që e sheh ushtrinë përherë më konservatore dhe të disiplinuar se instiucionet e tjera. Por ndoshta Lutaj është shumë ambicioz dhe po propozon krijimin e degës së PS-së në ushtrinë greke, me ç’rast edhe mund ta votonin online.