“Ne themi Lenini dhe nënkuptojmë Alibia”.

Këto fjalë i atribuohen Majakovskit, poeti të njohur, në kohën kur revolucioni bolshevik po asociohej si vepër e një njeriu, thëniet dhe shkrimet e të cilit po zëvndësonin Biblën në tempullin e pushtetit. Në Shqipëri kjo thënie mundet fare mirë të zëvendësohet me: “Ne themi Lu dhe nënuptojmë reforma në drejtësi”.

Dhe e themi këtë edhe pse reforma ka pasoja afatgjatë, se ajo nuk është një kod i shenjtë që iu shpall Moisut në mal, por një tërësi ligjesh dhe ndryshimesh që duhen diskutuar, e mbi të cilat duhet menduar dhe se kjo reformë shkon përtej rolit dhe ndikimit të Donald Lu, ambasadorit amerikan në Shqipëri. Ajo na prek njëfarësoj të gjithëve.

Për përmbajtjen e saj duhet të kishte folur shumëkush; për kompetencat që ndryshon, për zhvendosjet e qendrave të reja brenda sistemit, njësoj sikundër për vettingun, i cili siç u mor vesh dje, ka si kriter edhe një “vizë amerikane”.

http://www.lapsi.al/lajme/2017/02/03/prapaskena-zbulohet-shkaku-i-djegjes-s%C3%AB-vizave-amerikane-dokumenti

Misionarë të këtij ligjërimi partizan, të këtij katekizmi banal dhe të rrejshëm, janë po ata analistë, po ata gazetarë, po ata publicistë, apo edhe “mendimtarë” që bëjnë dhe bënin hosananë e Berishës, Metës, Nanos dhe Ramës, sipas vaktit politik. Janë ata që mund të quhen si të borgjezuarit e medias në bashkëpunim me pushtetin, që sot ushtrojnë ndotjen akustike më të madhe e shkrimet e të cilëve duhen projektuar mureve si grafite për të na kujtuar nesër budallallëkun dhe servilizmin e një kohe.

Reforma erdhi dhe po ikën, ligjet e saj u miratuan, ato u amenduan dhe paketa fillestare u transformua thuajse tërësisht vetëm e vetëm përmes presionit të politikës. Presion i cili në rastin e tensioneve të muajit korrik pasqyronte hallet dhe interesin për t’i shpëtuar drejtësisë, por në dritën e rekomandimeve  të Komisionit të Venecias, zbulon edhe vlerën pozitive të tij. Asnjë prej këtyre kuzhinierëve verbalë të militantizmit partiak nuk qe në gjendje të tematizonte çështje të reformës, ligje të saj, problemet që ajo mund të krijojë me të drejtat, ndikimin që ka mbi të gjithë arkitekturën e Kushtetutës. As edhe të inicionte kërkesa për ndryshime të caktuara, të katalizonte një rrugë debati altenrativ. Dhe kjo erdhi qoftë sepse nuk janë në gjendje, por edhe sepse janë aty për një axhendë të caktuar.

Ata janë më komodë në detyrën e truprojës, por që nuk të mbron me fizik, por me fjalë. Oferta analitike që kjo skotë i jep qytetarëve është vetëm një: Instinkti, nuhatja se pas çdo “jo-je” ndaj ambasadorit amerikan qëndron një lojë e Sali Berishës. Duke ngatërruar ca nga kompleksi i inferioritetit, ca nga shejtanllëku, përballjen për çështje të caktuara me disponimin kundër politikës amerikane në Shqipëri.  Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Dhe duke operuar trashë mbi këtë gënjeshtër, media të caktuara që vendosin zëra të tillë si semaforë për mbajtjen e shqiptarëve në Perëndim, thjesht i kanë dhënë të drejtë kryeministrit kur flet për kazanë.  Pasi një pyetje merr shumë kuptim në këtë kuadër të sotshëm, kur një “plebishit online” pro Donald Lusë, zbulon ligjësitë zoologjike të hapësirës virtuale e mediatike në Shqipëri:

Nëse analistët, apo mendimtarët do të kishin organizuar një debat real për reformën, duke u marrë me përmbajtjen, ndikimin dhe pasojat e ligjeve, vallë do të kishte më këtë vlerë që ka sot politika dhe ambasadori i nderuar Donald Lu, në zhvillimin e këtij polarizimi të turpshëm? A do të mishërohej te një njeri vlera e reformës, ndërkohë që duhet folur për Aktet ligjore?

Me siguri që jo. Dhe ndodh kjo pasi analizat e tipit “me apo kundër Donaldit”,  janë në vijën e parë të mendimit të ditës. Se madje edhe polemika në këtë linjë zhvillohet: Reforma është e amerikanëve. Bashkë me benefitet perverse që sjell kjo një nga të cilët është edhe fakti i bezdisshëm dhe me kosto për vendin i vendosjes së një mikrofoni për këta muezinë të Aleancës së Shenjtë të shqiptarëve me Perëndimin.