Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha në Uashington se shpreson që politikanët në Shqipëri të shfaqin unitet për zbatimin e reformës në drejtësi. Ajo vlerësoi votën unanime për reformën në drejtësi duke e quajtur miratimin, “një hap historik për vendin”. Por ajo tha se tani fokusi duhet të jetë tek zbatimi i saj.

“Natyrisht ajo që është e rëndësishme për ne është që i njëjti unitet dhe e njëjta vendosmëri të tregohen për zbatimin e reformës dhe kam besim që vendi mund ta gjejë forcën në institucione që ta bëjë një gjë të tillë, sepse e di se sa e rëndësi ka për shqiptarët kjo reformë. Ne të gjithë mendojmë se ajo është vendimtare për të ecur përpara në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Mogherini.

Sipas saj,  rruga për integrimin e Shqipërisë është e hapur nëse reforma zbatohet. Mogherini gjysmë me shaka iu referua marrëdhënieve të vështira politike në vend, duke shprehur shpresën që ajo të realizohet me një ndjenjë bashkimi kombëtar. “E di që ky nuk është sporti i preferuar në Shqipëri, por mendoj se kur bëhet fjalë për interesin e qytetarëve, kjo është një domosdoshmëri”-theksoi shefja e BE-së