Dorërëheqja e deputetit socialist Armando Prenga nga parlamenti erdhi si produkt i ligjit të dekriminalizimit dhe pamundësisë që ai kishte për  të mbrojtur ligjërisht mandatin e tij. Argumenti me të cilin është mbrojtur kryeministri për futjen në listat e kandidatëve për deputetë të individëve të inkriminuar është se ata kishin dëshmi të pastër penaliteti.

Dhe bëhet fjalë për përzgjedhjen e ligjëvënësve, të cilët u çertifikuan politikisht për të qenë edhe pjesë e komisioneve parlamentare, një prej të cilëve edhe edhe Komisioni i Sigurisë Kombëtare. Dhe për këtë ka mjaftuar vetëm një dëshmi penaliteti, ndonëse këta persona të projektuar për deputetë mund të kishin akses në informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”.

Ndryshe nga kjo praktikë që u ndoq në përzhjedhjen e deputetëve ka një ligj që u bën një skaner punonjësve të institucioneve shtetërore dhe  stafeve të  tyre që administrojnë informacione të klasifikuara, ku në një prej neneve të rregullores shkohet deri aty sa autoritetet verifikuese  u jepet e drejta  të  kryejnë  intervista  me persona të tretë të paanshëm, të cilët njohin të  shkuarën  dhe  aktivitetet  e  personit  që  i  është  nënshtruar  verifikimit  të sigurisë. Nëse ka dyshime dhe referenca për lidhje apo të shkuar problematike, punonjësit nuk çertifikohen, siç thuhet në paragrafin më poshtë.

Ndoshta Edi Rama nga mungesa e përvojës, duke qenë në opozitë mund të mos i ketë ditur këto detaje, por praktikën e dëshmisë së penalitetit e ndoqi edhe në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish, ku spikat Elvis Rroshi, Artur Bushi apo Adriatik Zotka. Qershia mbi tortë i kësaj tragjikomedie është reagimi i ambasadës amerikane dhe OSBE-së për largimin e Armando Prengës nga parlamenti. Ata inkurajojnë qytetarët “të jenë vigjilentë për parandalimin e kriminelëve nga kandidimi në zgjedhjet e 18 qershorit”. Një farë thirrje proletare për popullin vigjilentë, kur në fakt thirrja duhet t’i drejtohet atyre që zgjedhin kandidatët dhe në këtë rast është Edi Rama, Ilir Meta apo Lulzim Basha.