Prokuroria ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për Mark Frrokun, ish-deputetin demokristian të mazhorancës në pushtet. Pretenca u dha në seancën e sotme në ngarkim të Frrokut, pas një serie të gjatë seancash, ndërkohë që ish deputeti ka qëndruar në burg. Duke argumentuar kërkesën e vet, akuza kërkoi edhe 10 vite heqje të së drejtës për ushtrim të funksioneve publike. Mbi Frrokun rëndojnë katër akuza, që nga vrasja në Belgjikë, te fshehja e pasurisë, pastrimi i parave dhe ndërtimi i paligjshëm. Prokuroria kërkoi 17 vjet burg për vrasjen në Belgjikë, 3 vjet për fshehje pasurie; 15 vjet për pastrim parash dhe 4 vjet për ndërtim të paligjshëm.