Ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka qëlluar në fole të mirë kësaj radhe me qytetarin dixhital. Dikush e ka njoftuar atë me foto, emra dhe pozicione, se disa qytetarë që kanë folur pro zgjedhjeve të 7 majit në Kavajë, në fakt janë nëpunës zyrash të zgjedhur nga PS-ja. Duke qenë se Berisha i hodhi në rrjet, këta u klasifikuan vetiu mes atyre “drejtorëve që të nxjerrin bojën”, siç u shprehur në epokën para Rilindje, kryeministri aktual. Nëse i besojmë Berishës fjala është për drejtor ujësjellësi, drejtor i Ndihmës Sociale, por edhe për një qytetar që nuk voton fare në Kavajë. Idenë për këtë ilustrim mavi e ka realizuar televizioni “Report” që siç dihet është në pronësi të Carlo Bollinos. Në fakt edhe Berisha “Bollinon e Noriegës” denoncon, për t’i lënë “qytetarët që prononcohen” në diskrecionin e detyrës së rëndësishme publike që mbajnë.  

Mund të pyetet sesi është e mundur që mediat profesionale të operojnë me këto teknika të zbërdhylura? Një përgjigje është dëshira për të qenë në vijë të parë të detyrës, një e dytë është se kronika është kërkuar, një e tretë është se korrespondenti i ka rënë shkurt, në mos e ka rregulluar. Por në fund Bollino e ka një kartë: edhe drejtorët qytetarë janë. Madje qytetarë që duan të votojnë dhe në këtë dëshirë ata mund të jenë me të vërtetë të paavarur, si gazetaria që shohim së fundmi.