Ismail Kadare i është drejtuar me një letër nga Parisi ambasadores se BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin pas artikullit të Kastriot Myftarajt që stigmatizonte diplomaten kroate si zbatuesen e një plani sorosion për Jugosllavinë e re dhe ku thoshte se vrasja e saj nuk do ishte një akt terrorist por një akt në mbrojtje të atdheut. Kadare në letrën e tij shpreh keqardhjen për mosmirënjohjen që sipas tij Vllahutin po ndesh nga shqiptarët dhe nuk nguron t’i thotë se do t’i ulej në gjunjë për t’i kërkuar falje.

E nderuara Zonjë,

Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.

 Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

 Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.

 E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacenueshme.

 Ismail Kadare

Paris, 10 maj 2017

*Botuar fillimisht me titullin: Kadare "bie në gjunjë” për Romana Vlahutin

**Letra e shkrimtarit i është përcjellë disa redaksive nga bashkëshortja e tij Helena Kadare