Para disa ditësh revista ekonomike “Monitor” u bë burimi i një lajmi sipas të cilit mbledhja e të ardhurave nga bashkitë mund të bëhet me konçesion. Lajmi  referohej një pikë të ligjit të miratuar së fundmi “Për financat e vetëqeverisjes vendore”, në të cilën rregullohet e drejta për mbledhjen e të ardhurave përmes të tretëve. Mirëpo në një prononcim për TVSH-në, Fran Brahimi, drejtor në Ministrinë e Financave e hedh poshtë këtë lajm:

“…nuk është e mundur që pushteti qëndror të japë me koncesion mbledhjen e tatimeve dhe taksave.  Variantet e tjera, sikurse është parashikuar edhe në ligj, grumbullimi i tatim-taksave nga të tretët nuk i sugjerojmë pa konsumuar ato që i jep ligji dhe janë të provuara”, tha ai.

Qeveria pretendon se të ardhurat e bashkive janë rritur si pasojë e mbledhjes më të mirë të tyre, por në ligj dispozita ekziston. Ajo që thotë Brahimi është çështje vullneti dhe jo norme, ndaj mbetet për t’u parë si do të veprohet.