Parlamenti i Shqipërisë është duke shqyrtuar disa ndryshime që prekin profesionet e noterit dhe juristit, ndërkohë që në procedurë është edhe projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”.

Siç mund të lexohet në drafte e iniciuara nga një grup deputetësh, ndryshimet janë me rëndësi. Kështu në projektlgjet për profesionin e juristit dhe të noterit, mendohet që të hyjë në fuqi si hallkë përcaktuese për ecurinë e mëtejshme në karrierë Provimi I Shtetit – për rastin e juristit – dhe Provimi i Pranimit për rastin e noterit.

Në të dyja rastet kandidatë të mundshëm do të jenë ata shtetas që kanë përfundur një cikël studimesh prej jo më pak se 5 vjetësh me 300 kredite, çka përjashton nga e drejta për të ushtruar profesionet që kërkon detyrimisht formimin e juristit, shtetasit e tjerë.

Në projektligjin për Provimin e Shtetit për juristin, thuhet:

“Kalimi me sukses i provimit të shtetit është kusht për pranimin në profesionet ligjore të gjyqtarit, prokurorit, avokatit, noterit, avokatit në Avokaturën e Shtetit, përmbaruesve publikë dhe privatë në Republikën e Shqipërisë, si dhe për pranimin në karrierën profesionale në administratën publike në nivel qendror dhe vendor”.

Për të adminsitruar provimin ngrihet një Këshill i Provimit të Shtetit, ndërkohë që për profesionin e noterit, ky Provim fillestar do të kërkojë një të dytë. Në projekligj thuhet qartë se kushdo që përmbush kritteret formale për të qenë noter, pasi të ketë punuar 2 vjet si asistent noter, ka të drejtën e aplikimit për Provimin e Kualifikimit, që administrohet dhe drejtohet nga Qendra Shqiptare për Trajnimin e Noterëve.

https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/09/Projektligji-per-No…

Siç mund të shihet, mazhoranca po kufizon në një dorë shqyrtimin e opsioneve të një kandidati për të punuar në profesione që synohen shumë. Pavarësisht se ku përfundon studimet, me çfarë notash, kandidatët do të duhet të japin sërish një provim, pas pesë viteve studim. Qëllimi i provimit është gati paradoksal teksa me një paragrat zhbën të gjithë vlerën e shkollimit.

“Qëllimi i provimit të shtetit është garantimi i një standardi minimal i njohurive dhe kuptimit të ligjit, si dhe sistemit ligjor dhe institucional të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet organizimit të një provimi në mënyrë të centralizuar, të unifikuar, transparente, objektive dhe të paanshme, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Provimit të Shtetit në përputhje me dispozitat e këtij ligji”, thuhet në projektkligjin për Provimin e Shtetit për juristët.  

https://www.parlament.al/wp-content/uploads/2017/09/Projektligji-p--r-p…

Përkufizime të rëndësishme bëhen edhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore. Kështu në përcaktimin se çfarë është “funksion i policisë gjyqësore”, kemi këtë paragraf:

““Funksion i policisë gjyqësore” është cilësia që u jepet me ligj punonjësve të Policisë së Shtetit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe organeve të administratës publike dhe që i lejon të kryejnë hetime në funksion të ushtrimit të ndjekjes penale. Në raste të ngutshme, një person mund të ushtrojë funksione të policisë gjyqësore edhe pa qenë domosdoshmërisht pjesë e shërbimeve ose seksioneve të policisë gjyqësore”, ndërkohë që hetuesi është nomenklaturë e Byrosë Kombëtare të Hetitmit. Të drejtën për të qenë oficer i Policisë Gjyqësore e ka çdo officer i Policisë së Shtetit, të cilëve u jepet e drejta për të marrë pjesë në konkurs. Policia Gjyqësore është nën varësi të prokurorit.