Nga janari qytetarët do nisin t'i paguajnë qeverisë qëndrore dhe asaj lokale taksën e re të pronës sipas një formule që e rrit barrën fiskale në një nivel mesatar nga 500 lekë deri  në 8000 lekë të rinj në vit.

Këto para që u merren njerëzve sipas një rikonceptimi aspak transparent të taksës së pronës qeveria do t'i ndajë me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë. Absurde, por e vërtetë! OSHEE do të marrë 2% të të ardhurave nga taksa e pronës për shërbimin që do të ofrojë duke përfshirë këtë tarifë në faturën e energjisë elektrike. Kjo thuhet në nenin 22/5 të projekligjit  “Për sistemin e taksave vendore’, të ndryshuar”. Më specifikisht:

“Detyrimi i taksës mbi ndërtesën sipas dispozitave të këtij ligji mund të mblidhet nëpërmjet agjenteve të taksave, të cilët kanë shtrirje territoriale, sistem elektronik të bazës së të dhënave dhe gjenerimit të detyrimeve dhe që autorizohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Agjenti iautorizuar përfiton 2 % të të ardhurave të arkëtuara nga taksa e ndërtesave.”

Agjent i autorizuar me vendim qeverie është OSHEE. Me pak fjalë shteti do paguajë shtetin për të mbledhur taksën e pronës. Argumenti që jep Ministria e Financave është se kjo do të ndodhë “derisa të popullohet tërësisht kadastra fiskale, që pushteti vendor të mund të përdorë metoda alternative.” Kështu  thotë Niko Lera, drejtor i politikave fiskale në Ministrinë e Financave.  http://tvklan.al/taksa-e-prones-brenda-dy-vitesh-kadastra-fiskale/

Kjo është një nga tre pabesitë e qeverisë në lidhje me taksën e pronës, ku implikohen  tre minsitri dhe tre ministra, dy prej të cilëve shumë të përfolur për afera korruptive, si Damian Gjiknuri dhe Saimir Tahiri ? E para ka të bëjë me përfshirjen e OSHEE-së në përfituese direkte të kësaj takse.

Një plan i menduar deri në detaje që nisi me projektin për krijimin e një adresari të plotë të klientëve të sektorit energjetik. Çfarë e bën flagrante këtë histori është mungesa e skrupujve për t'i treguar publikut të vërtetën  dhe qëllimin e krijimit të adresarit. Shikoni çfarë thotë Ministrisë i Energjisë, Damian Gjiknuri në 30 Janar të këtij viti gjatë prezantimit të projektit "Një qytetar-një adresë, përmirësimi i shërbimit të Energjisë"

"Në fakt, sot jemi mbledhur për të bërë prezent një nga projektet më shtetformuese të Shqipërisë. Nuk e teproj kur them kështu sepse mungesa e një adresari të plotë dhe të dhënave bazë për të gjithë shtetasit shqiptarë, ashtu siç duhet ta ketë çdo vend europian është një nga hallkat e munguara në këto 25 vite. Do të thoni ju, çne ju si Ministër i Energjisë po e bëni prezent këtë problem?! Përfshirjen e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike si një nga financuesit e këtij projekti e pamë jashtëzakonisht të rëndësishme. Kemi nevojë për një inventar të plotë të të gjithë klientëve të sektorit elektroenergjetik, të gjithë atyre qytetarëve që paguajnë". http://oshee.al/nje-qytetar-nje-adrese-gjiknuri-permireson-dhe-sherbimi…

Pra flitet për një inventarizim të klientëve të sektorit energjetik, por asnjë fjalë ku të përmendet përfshirja e OSHEE- së si mbledhëse e kësaj takse dhe përfituese me përqindje nga ky shërbim.

Pabesia e dytë lidhet me Ministrinë e Brendshme dhe projektligjin për regjistrimin e emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, përmes krijimi të një regjistri unik të shtetasve dhe adresave.

Asokohe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati se ky projektligj ishte premisë për garantimin njëherë e mirë të së drejtës së votës për emigrantët.

“Duke i regjistruar, duke ditur ku jetojnë krijojmë premisën kryesore për të garantuar që shtetasit shqiptarë të kontribuojnë për jetën politike në vend, një premtim të cilin e trashëgojmë prej kohësh por që është kthyer në një angazhim konkret dhe hapa konkretë të kësaj qeverie për të garantuar njëherë e mirë të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë“-tha Tahiri. http://shqiptarja.com/m/aktualitet/regjistrimi-i-emigrant-ve-miratohet-…

Votë për emigrantët nuk pamë, por në të ardhmen mund të shohim që fatura e taksës së pronës mund t'u shkojë emigrantëve si kartë postale aty ku jetojnë, pasi siç kishte premtuar ish-ministri i Brendshëm "me hyrjen në fuqi të këtij ligji, kërkohet nga emigrantët që të japin informacionin e tyre kur të kontaktohen nga strukturat shtetërore"

Në sinkron me këto lëvizje ishte projektligji i Ministrisë së Financave  për rivlerësimin e banesave dhe ndryshimi i formulës në bazë të vlerës së pronës. Tarifa e vendosur është 0.5 për qind e vlerës. Edhe për këtë nismë u tha se ishte në dobi të qytetarëve pasi lehtësonte transaksionet gjatë shitjes së shtëpive, nëpër rreshta ministri i Financave, Arben Ahmetaj nuk e fshehu se “metodologjia e ardhshme për vendosjen e taksës mbi pronën me bazë metodologjinë e vlerës, sigurisht na çojnë në këtë drejtim”.

Projekligji u mbështet nga opozita, por deputeti Ridvan Bode ngriti dyshimin se pas rivlerësimit, qeveria do të ndryshojë taksën e pasurive, duke e kthyer atë sipas vlerës së tregut.

“Duket sikur ky proces rivlerësimi për shtëpitë që kur t’i nxjerrin për të shitur të mos paguajnë 15 për qind, por 2 për qind, qeveria e bën sepse ka ndërmend të vendosë një taksë ad valorum  mbi banesat. Pra, nga një taksë që e kemi për metër katror, sipas vendndodhjes, të kalojmë në një taksë që bazohet mbi vlerën e shtëpisë. Duket se këtu kemi të bëjmë me një kulaç dhe qeveria të ngrejë lart kërbaçin në momentin që sa ta kafshosh, do ta hash shumë më të fortë kërbaçin e qeverisë”. http://www.panorama.com.al/ulen-taksat-per-shitjen-e-shtepive-ja-afatet…

Pra i gjithë operacioni me adresarët e OSHEE-së, regjistrin e emigrantëve të Ministrisë së Brendshme, asaj të Jashtme dhe rivlerësimi i pronës ka patur vetëm një qëllim, llogaritë nga taksa e pronës, ku përveç rritjes së vlerës, një pjesë e parave do t’i shkojë për xhepin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.