Sekretari britanik i Mbrojtjes, Michael Fallon ka dhënë dorëheqjen pas raportimeve në media për një sjellje të pahijshme të tij ndaj një gazetareje në vitin 2002.
Ai pranoi se sjellja e tij në të kaluarën ishte nën standardet e larta që kërkojnë forcat e armatosura. Më herët gjatë javës ai kërkoi falje për incidentin e ndodhur 15 vite më parë ndaj gazetares Julia Hartley-Brewer, të cilën e kishte prekur në këmbë.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministres Teresa Mayi ai thotë se ka reflektuar, prandaj vendosi të japë dorëheqjen si sekretar i Mbrojtjes. Fallon, bëhet i pari ministër që jep dorëheqjen nga qeveria e Teresa May pas raportimeve për ngacmime seksuale në Parlamentin Britanik. Në këtë skandal përfshihen 36 deputetë konservatorë dhe të paktën 15 ministra dhe nënsekretarë të kabinetit aktual të kryeministres May.