Ambasada e Rusisë në Shqipëri ka shpërndarë sot një njoftim në faqen e vet në Facebook, përmes të cilit shpreh solidaritetin e vet me qytetarët e prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit. Më tej akoma, ambasada bën me dije se në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë, Qendra Ruso-Serbe e Nishit ka ofruar ndihma të veta për palën shqiptare, duke bërë edhe njoftimin zyrtar për këtë çështje.

“Pala ruse e ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e situatës në Shqipëri që është krijuar për shkak të rreshjeve masive të shiut dhe përmbytjeve në rajone të ndryshme të vendit, dhe shpreh solidaritetin e plotë me të gjithë qytetarët që janë prekur nga kjo fatkeqësi natyrore. Duke marrë parasysh dëmtime të shumta, me dëshirë të kontribuojë në kapërcimin e pasojave të shkaktuara, Qendra Humanitare Ruso-Serbe në Nish ka shprehur gatishmërinë për t'i dhënë Shqipërisë disa ndihma humanitare. Për këtë pala shqiptare është informuar në rrugë zyrtare nëpërmjet Ambasadës Ruse në Tiranë”, njofton ambasada ruse.