Hetimi për Sajmir Tahirin nuk është një proces që po ngjall besim dhe ashtu si shumë çështje të tjera ka marrë vëmendjen e ambasadës amerikane, e cila kërkon të përfshihet direkt në hetime. Interesin amerikan e ka shprehur ambasadori Donald Lu, pas një takimi me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

"Çështja e Z. Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor. Ashtu si vetë Z. Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës. Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës"-deklaroi Lu.
Po a është asistenca amerikane garanci për një proces të besueshëm? Përvoja me disa ngjarje nga e shkuara e afërt ku autoritetet shqiptare janë asistuar nga ekspertë amerikanë ka lënë vend për interpretime. 

Kështu 6 vjet më parë Prokurori amerikan Mike Cain, asistoi Prokurorinë shqiptare në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit. Për rreth dy javë, së bashku me dy ekspertë amerikanë, ai ndihmoi Prokurorinë shqiptare në realizimin sa më të mirë të veprimeve hetimore për zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit.

Pavarësisht nga pjesëmarrja amerikane përfundimi i procesit u kontestua politikisht nga partia që sot është në pushtet, e cila flet ende për drejtësi të pavendosur në këtë çështje. Më herët, në vitin 2008 ekspertiza amerikane u angazhua në një tjetër ngjarje të bujshme, vdekjen e Kosta Trebickës në fshatin Lekas në Korçë.

Eksperti amerikan, Kevin Teter,  për pesë ditë analizoi me detaje vdekjen e njeriut që denoncoi aferat e Departamentit të Shtetit në shitblerje e municioneve që u ambalazuan në fabrikën e demontimit në Gërdec. Me anën e një raporti përmbledhës, i firmosur në datën 23 shtator të këtij viti dhe i detajuar në SHBA, Teter nuk la vend për analiza të tjera, duke e klasifikuar ngjarjen si aksident të pastër automobilistik.

Edhe në këtë rast dilemat mbetën, madje pati komente që vunë në pikëpyetje profesionalizmin e ekspertit amerikan. Për të ardhur te çështja e Tahirit, kthimi i pasaportës dhe lirimi i Orest Sotës ka përforcuar zërat se drejtësia ka vepruar e ndikuar politikisht.

Qeveria dhe kryeministri janë po ashtu të akuzuar se kërkojnë të mbyllin çështjen Tahiri. Gatishmëria e ambasadorit amerikan për të ofruar asistencë ligjore shton dyshimet se politika ka ndërhyrë në proces, ose mund të përdoret për të shuar zërat se qeveria përpiqet të mbyllë çështjen.