Deklaratat e presidentit francez, Emmanuel Macron në Parlamentin Europian, janë lexuar gjerësisht si një Jo e Francës për hapjen e negociatave apo negociimin e disa kapitujve me vendet e Ballkanit Perëndimor. Por përfaqësuesi diplomatik i Francës në Beograd, ambasadori, Frederic Mondoloni, ka dalë posaçërisht për mediat serbe për të sqaruar se ky mesazh i Macron nuk ka të bëjë me Serbinë.

E respektoj lirinë e shtypit, por titujt në gazetat “Novosti” dhe “Politika” nuk janë korrekt. Franca do reformimin e Bashkimit Europian dhe kjo është esenca e fjalimit të djeshëm. Macron tha se duhet të ketë dy linja paralele. E para – lidhja e Ballkanit me Europën dhe tjetra – Franca do të përpiqet për zgjerimin e BE-së njëkohësisht me reformimin e tij

tha Molodoni.

Ai ka shtuar se “anëtarësimi i Serbisë do të jetë i mundshëm vetëm nëse Europa reformon veten”. I pyetur mbi votën e Francës  në qershor për hapjen e negociatave për kapituj shtesë nga Serbia, Molodoni ka thënë se:

Ne duam dhe do të mbështesim hapjen e sa më shumë kapitujve të mundshëm në qershor

Garancitë e ambasadorit francez konfirmojnë deri diku kujdesin e Parisit për të mos u konsideruar në Serbi si një bllokues i rrugës europiane, nga suksesi i së cilës varet edhe suksesi i politikës së Vuçiç. Duhet thënë se garanci të tilla nuk janë dhënë në Tiranë apo në Shkup, dy vende që presin hapjen e negociatave me BE-në, çka do të thotë se të dyja vende mund të presin dhe janë të sakrifikueshme. Por deri në qershor do të duhet të pritet sesi do të shkojnë zhvillimet.