Ministri për Diasporën, Pandeli Majko, ka dhënë sot një intervistë për televizionin personal të kryeminsitrit Edi Rama, përmes së cilës ka bërë të ditur se e drejta e votës për emigrantët shqiptarë do të kërkojë ndërhyrje në Kushtetutë:

Të gjithë janë shprehur pro votës së emigrantëve. Kjo ka shumë rëndësi. Ajo që ne po diskutojmë aktualisht është mënyra sesi do ta realizojmë këtë gjë. Ajo që unë kam frikë është se ne duhet të prekim edhe Kushtetutën për këtë çështje, pasi një nga sistemet, apo një nga modelet e përshtatshme që do të garantojmë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputetëve në Parlamentin shqiptar. Për fat të keq ne jemi treguar shumë detajst për sa i përket ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2009 mos gaboj, të cilat e fokusuan çdo detaj të ndryshimit të sistemit zgjedhor në Kushtetutë

tha  Majko.

Sipas tij një nga mënyrat më të mira për të zgjidhur çështjet logjistike që kanë të bëjnë me adresën, është detyrimi që të vihet adresa e saktë në procesin e rinovimit të pasaportave biometrike, të cila mbushin 10 vjet që kanë nisur të lëshohen. Po kështu Majko ka hedhur edhe idenë e krjimit të një banke të Diasporës.