Perëndimi është hedhur në një sulm të paprecedentë në Maqedoni, duke synuar që të kapitalizojë si fitore atë që në fakt ishte humbje. Referendum për emrin dhe marrëveshjen e Prespës sinjalizoi zbythjen e dominimit perëndimor në këtë vend ballkanik, të paktën në formën që ajo manifestohej deri më tani.

Ndërkohë që kreu i opozitës maqedonase, kreu i VMRO-DPMNE, Hristian Mickovski ka kërkuar zgjedhje të reja, përfaqësues të Perëndimit kanë kundërvepruar duke përdorur të dyja gjuhët: ofertën dhe kërbaçin.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Soltenberg ka deklaruar se Maqedonia mund të anëtarësohet në aleancë brenda vitit 2019 nëse vë në zbatim Marrëveshjen e Prespës. Madje sipas tij muaji kufi mund të jetë janari. Sipas tij rezultati është optimist, Po-ja triumfoi, por marrëveshja duhet zbatuar.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka adoptuar një tjetër qasje; sipas tij referendumi nuk është kusht juridik për Marrëveshjen, pasi kjo ishte një gjetje e politikës maqedonase. Tani thotë Kotzias, fjalën e ka Parlamenti. Por në Parlament është e qartë se Zaev, që është në pikën më të ulët të karrierës së vet, duhet të negociojë me VMRO-DPMNE-në, ndërkohë që ende nuk ka një prononcim nga Presidenti i vendit, Ivanov, i cili doli kundër vetë referendumit.

Me një gjuhë të qartë shantazhi ka folur ministri i Jashtëm i LUksemburgut, Jean Asselborn, që në një prononcim për agjencianë maqedonase, MIA, ka theksuar se:

Në mënyrë që të marrësh diçka, duhet të japësh diçka

Me një deklaratë që nuk i shkon për shtat në asnjë rrethanë, Asselborn ka shtuar se:

Fati i shumë maqedonasve të rinjë dhe i vetë Maqedonisë varet nga kjo; ose të qëndrojnë të barrikaduar për një dekadë tjetër, ose të hedhin një hap përpara

Siç mund të vihet re të gjithë aktorët që u përfshinë në mënyrë ilegjitime në proceset politike të Maqedonisë, injorojnë qëllimisht faktin se bojkoti i referendumit është ndër të tjera edhe refleks i mënyrës sesi Perëndimi deformoi vullnetin e zgjedhësve në zgjedhjet e fundit. Sesi Zoran Zaev erdhi në pushtet me makincione dhe intriga që pak kanë të bëjnë me të vërtetën elektorale, na pëlqen ajo apo jo.

Por këtij procesi i mbivendoset edhe një tjetër, më cinik. Sot Perëndimi kërkon të imponojë një Marrëveshje, jo si të tillë në vetvete, pasi herët apo vonë Greqia dhe Maqedonia do ta gjejnë një pikë konsensusi. Marrëveshja për emrin synon inkuadrimin e Maqedonisë multientike në NATO dhe BE, ndërkohë që nga vetë Perëndimi propozohet zhbërja e modelit shumëetnik në Kosovë, ndaj së cilës imponohet shkëmbimi territorial.

Në këtë kuadër vota e maqedonasve është shumë domethënëse dhe cilësisht emancipuese për nga perspektiva servie ballkanike. Vendit sigurisht që do t’i duhet të rigjejë pikat orientuese dhe refereuese, por nëse ka një mësim nga e gjithë kjo është se ndonëse një vend i ri dhe me identitet historik të paqartë, maqedonasit dëshmuan ndjesi sovraniteti shumë më të lartë sesa fqinjët e tyre shqiptarë. Që nuk e kanë gjë të votojnë masivisht edhe për krimin vetëm pse shfaqet i veshur bukur dhe mbështetet nga ca zyrtarë në Bruksel.