Kërkesave të studentëve u shtohet edhe një peticion i pedagogëve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, të cilët kërkojnë  abrogimin e ligjit për Arsimin e Lartë.

Në deklaratën e nënshkruar nga  51 pedagogë  theksohet se “në vijim të qëndrimit mbështetës ndaj protestës së studentëve dhe kërkesave të tyre legjitime, pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë i falënderojmë ata për guximin dhe qëndresën qytetare”.

Teksa nënvizohet se problemet e sotme janë pasojë e Ligjit për Arsimin e Lartë pedagogët kërkojnë hapjen e një debati publik për hartimin e një ligji të ri, në themel të të cilit të jenë këto parime:

Garantimi i të drejtave studentore

Financimi i dijes

Cilësia e mësimdhënies

Demokratizimi i universiteteve

Autonomia e universiteteve

Rritja e transparencës

Cilësia e diplomave dhe integrimi i të diplomuarve në tregun e punës

Pas abrogimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, propozohet të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë. Studentët pritet që me rikthimin në Janar t'i rikthehen protestave për plotësimin e 8 kërkesave.