Cilat ishin vendimet e Kryesisë së Partisë Socialiste të mbledhur dje? Askush nuk e di me siguri. U tha vetëm që kryesia vijoi diskutimet për pesë orë dhe se çfarë u fol aty u mor vesh nga një prononcim i kryetarit të saj, kryeministrit Edi Rama. I cili siç e ka zakon ka folur për reflektim dhe vetëkorrigjim.
Një tjetër informacion që thuhet se është diskutuar ka qenë propozimi i kryeministrit për hapje të partisë.
Persona jo anëtarë të PS-së, por që janë simpatizantët tanë, që përqafojnë dhe mbështesin politikat tona, duhet të jenë pjesë e diskutimeve tona në parti. Dikur kemi pasur simpatizantin e PS-së, nuk na funksionoi. Koha e ka sjellë si domosdoshmëri këtë hallkë të organizimit tonë. Të merret mendimi i tyre dhe kjo të raportohet sipas hierarkisë partiake që kemi
ka thënë Rama.
Kjo është një sjellje e ndryshme nga ajo kur z. Rama deklaronte se nëse do të marrësh vesh çfarë bëhet në parti, duhet të anëtarësohesh në të.
Diçka ka thyer besimin e PS-së brenda vetes, diçka që ka të bëjë me një frymë kundër saj dhe mënyrës sesi qeveris. Por si reflektohet ky reagim? Në faqen online të PS-së nuk gjen asnjë dokument të vetëm që të pasqyrojë vendimet e Kryesisë, asnjë njoftim për shtyp madje mbi rendin e ditës dhe mbledhjen në vetvete. Gjithçka që përcillet është fjala e Edi Ramës që është monarku i kësaj partie. Dhe analizat e pashtershme të mediave dhe analistëve pranë pushtetit. Në fund të fundit kjo është një ndër shenjat e mungesës së seriozitetit dhe degradimit, njësoj siç ndodh me qeverinë. Shumë prej vendimeve të saj, por edhe gabimeve mbrohen dhe artikulohen nga mediat përpara sesa të zbardhen përmes dokumentacionit zyrtar.