Protesta e opozitës, e cila u bë lajm në mediat ndërkombëtare për skenat që u shënuan para kryeministrisë si dhe paralajmërimi i Bashës për djegie mandatesh e ka futur rendin politik në një situatë të paprecedentë për Shqipërinë në 28 vite pluralizëm.

Në një perspektivë afatshkurtër kryeministri Edi Rama është i detyruar ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, por me gjasë do të presë qershorin  kur dhe pritet të vijë përgjigjia e Brukselit për hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Europian. 

Në rast të një përgjigje negative, Edi Rama do t'ia faturojë opozitës dështimin në hapjen e hapjen e negociatave dhe kësisoj ai mund të luajë me këtë kartë në zgjedhje në kushtet e një qeverisje të degraduar dhe të konsumuar në çdo drejtim. 

Këto zhvillime janë lexuar nga një pjesë e mediave të huaja si skenar destabilizimi që kanë për qëllim largimin e Edi Ramës, të cilin e dëshiron edhe administrata Trump. Veç korrupsionit, Rama dhe qeveria e tij konsiderohen si zgjatim i influences së George Soros, me të cilin kryeministri i Shqipërisë dhe Presidenti serb patën para pak kohësh një takim në Vienë.