Sot përfaqësues të opozitës kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mandatet e listave shumëemërore. Kështu, të paktën sipas opozitës do të frenohet zbatimi i dispozitës që zëvedëson deputetët e larguar me të tjerë. Lista dorezohet nga subjekti zgjedhor dhe mbi të partitë kanë të drejta. Gjithësesi PD-ja duket se ka konsumuar një akt administrativ që përbën argument për debat nëse shumica do të vazhdojë me lojën e zëvendësimit. 

Pse ka rëndësi kjo? Sepse Kushtetuta në nenin 64 përcakton se Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë. 

Është e qartë se Kuvendi nuk ka për të arritur dot në këtë numër dhe nga pikëpamja kushtetuese ngrihet një pikëpyetje e madhe për legjitimitetin e tij. Kuvendi nuk mund të vazhdojë normalisht punimet me 139 deputetë që kanë marrë mandatin pasi kjo nuk lejohet nga Kushtetuta. 

Çfarë pasoje sjell një defiçencë e tillë? Në kuptim të përmbushjes së detyrave asnjë, përveç faktit se nuk miraton dot ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar. Por me reduktimin numerik, Kuvendit, si pushtet kolegjial legjislativ, i ka rënë një nga premisat kushtetuese të konstituimit të tij. Numri 140 nuk është arbitrar dhe relativ. Ai është numri kushtetues për Kuvendin që duket se ka hyrë në vorbullën e dyshimit nëse është më apo jo kushtetues.