“Me meritë, pa paterica pushteti, “Air Albania” mban flamurin shqiptar dhe përfaqëson çdo shqiptar. Në fokus do të jetë udhëtari dhe nevojat e tij”.  Kjo ka qenë deklarata e ish-drejtoreshës së  Albcontrol, Belinda Balluku (tani ministre e Infrastrukturës) në qershor kur u inagurua themelimi i “Air Albania”.

Po a përfaqëson kjo kompani çdo shqiptar? Një broshurë e “Air Albania”, që ka qarkulluar në rrjetet sociale ditën e sotme shton shumë pikëpyetje mbi atë që kryeministri e ka quatjur vepër kuq e zi. Në këtë broshurë thuhet se ushqimi që ofron kompania Air Albania është në përputhje me parimet islame, diçka që bie ndesh me frymën laike të kushtetutës dhe institucioneve shqiptare.

Le të kujtojmë çfarë ka thënë kryeministri gjatë inagurimit:

 “Air Albania” është një vepër kuqezi, kombëtare, një fryt i arrirë në këtë që për ne është viti i Gjergj Kastriotit. “Air Albania” do të ishte ose s’do të ishte, por ideja për ta kthye në liri për shqiptarët dhe mundësi reale që ata ta kenë këtë kompani zgjedhjen e tyre të parë, mbetet ambicia jonë. Tashmë kemi nisur rrugën e një epoke të re”.

Si mund ta kuptojmë edhe veprën kuq e zi edhe parimet islame? Këtu ndoshta na hyn në ndihmë fjalia e fundit e zotit Rama në ceremoninë e inagurimit ku thuhet se “Pa iniciativën dhe përkrahjen bujare të presidentit Erdogan sot ne nuk do të ishim këtu”.