Federica Mogherini do të vazhdojë të jetë ndërmjetësja kryesore në dialogun Serbi – Kosovë, ndonëse Bashkimi Europian mirëpret ndihmën e palëve të tjera.

Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Koçijançiç, deklaroi për gazetën serbe “Vecernje Novosti” se “çdo angazhim që lehtëson dialogun, përfshirë një takim të ri, është i mirëpritur. Zonja Mogherini po kryen detyrën e saj”.

Gazeta shkruan se pikëpyetja mbi Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Sigurinë dhe Fqinjësinë, është vënë qëkurse në media kanë dalë lajme se Gjermania dhe Franca duan të kenë një rol aktiv në procesin e negociimit mes Serbisë dhe Kosovës.

Kocijancic ka sjellë në vëmendje takimin e Tiranës në kuadër të samitit Brdo-Brijuni ku Mogherini mund të rimarrë një iniciativë për rivendosjen e dialogut. Por ajo ka ritheksuar nevojën që qeveria e Kosovës duhet të heqë tarifën 100% për mallrat serbe, një qëndrim ky joproduktiv deri më tani dhe që e ka bllokuar procesin e dialogut. Tashmë është e qartë se presioni ndaj palës kosovare nuk prodhoi gjë dhe këmbëngulja e zonjës Mogherini vetëm sa konfirmon dështimin e saj në ndërmjetësimin e palëve, ndonëse alibia e kokfortësisë së Haradinajt sillet e risillet edhe nga Tirana zyrtare. Është po ashtu e qartë se zonja Mogherini ndihet disi e tradhëtuar nga z. Rama dhe z. Thaçi, të cilët i ka ndihmuar kaq herë me heshtjen e saj, ndërkohë që të dy këta dështuan të bindin kryeministrin kosovar për të hequr dorë nga tarifa.