Kthimi në Tiranë i trupit të ushatarakes Zarife Hasanaj është shoqëruar me një ceremoni zyrtare ushtarake. Trupi në arkivol është zbritur nga avioni I mbajtur nga trupa të Gardës së Republikës. Në rreth 10 persona që shoqërojnë trupin e ushtarakes sheh 4 uniforma dhe një lëvizje – ecje që nuk ka të bëjë me rregullin ushtarak.
Paaftësia për të zbatuar një rend apo ritëm protokollar në kësi rastesh është dëshmi e seriozitetit që arrin të ketë ky lloj shteti, seriozitet të cilin e sheh mjaft mirë dhe përditë në sjelljen e policëve, veshjen e tyre dhe mënyrën sesi duke hapur gojën përgjumësh të drejtojnë me tabelë të ndalosh.
Kush mund të harrojë skenat e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë në vitin 2012, kur nuk mbeti më njeri pa u ftuar, kur ministrat nuk respektonin vendin e caktuar dhe kur një ish-shef i Shtabit të Ushtrisë, shkëputej me kërcim nga makina ceremoniale.
Nëse fotot nuk na tradhëtojnë gjykimin, në kohën e Monarkisë dhe të regjimit komunist, protokolli ishte shumë rigoroz, që nga uniforma, njerëzit e përzgjedhur, ecja në rresht apo deri edhe te paradat ushtarake që lëviznin në bulevard si kuti shkrepseje.
Thonë se Protokollin më të mirë e kanë monarkitë sepse kanë patur traditë të gjatë. Mbase është e vërtetë. Fundja edhe Zogu monarki krijoi dhe huazoi nga austriakët, të mirënjohur për rregullin e tyre, më vonë edhe italianët që po ndërtonin perandori vunë dorë në këtë mejhanen pa derë buzë Adriatikut, për t’ua lënë stafetën sovjetikëve që vinin nga perandoria e Carit.
Por deri këtu. Sapo në dorë i morën punët “forcat tona” u duk edhe kualiteti i dokut në fillim, pastaj i njerëzve që dalin në rresht të parë si e si për të treguar edhe njëherë Shqipërinë e tallur të xhandar Veselit që zdërhallet si barkderr me një thupër në dorë.
Shiheni sesi gardisti i kuqur nga uniforma alla Wilhelm Wied apo Esat Pashë, kthen kokën pas dhe është një hap para personit ngjitur, sikur të jetë shoqërues gomonesh që çon refugjatët në destinacion.