Një fotografi nga Siria për t’i kujtuar Perëndimit tmerret e luftës. Një baba që mban duart në kokë teksa sheh dy fëmijët që rrezikojnë të vdesin pas bastisjes ajrore nga forcat qeveritare

Vajza e tij 5 vjeçare, e zënë poshtë nga rrënojat, mban motrën e saj 7-muajshe të mos bjerë. Nëna e tyre qëndron e vdekur nën rrënoja. BBC thotë se fëmijët u transferuan në spital, por 5-vjeçarja la frymën e fundit, ndërsa foshnja është hospitalizuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv. Fotografia u shkrep të mërkurën në qytetin Arhi, pranë Idlibit dhe u publikua nga SY24.

CNN thotë se pothuajse 100 civilë janë vrarë në ditët e fundit nga sulmet e forcave të Asadit. Për dy muaj, sulmet janë intensifikuar në provincën e Idlibit dhe zonat përreth, të cilat ende kontrollohen nga rebelët.

Sipas Syrian Human Rights Watch, qindra civilë kanë vdekur dhe mijëra janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Është vlerësuar se së paku 33 fëmijë kanë vdekur që nga 24 korriku, krahasuar me 31 të vrarë në vitin 2018.