Ylli Rakipi dhe Adi Krasta janë hequr nga Edi Rama nga News24. Këtë tezë e ka bërë të vetën edhe Këshilli i Europës që publikon një njoftim të shkurtër anglisht mbi këtë “zhvillim” që ka “tronditur” lirinë e shtypit në Shqipëri. Nëse i hedh një sy faqes në fjalë aty sheh raportime nga mediat opozitare me qeverinë e z. Rama dhe është e llogjikshme të mendohet se dora që qëdron aty është e dikujt që është afër opozitës. 

Në njoftim përdoren fjalë të tilla si “u raportua se Irfan Hysenbelliu u kërcënua nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj”. 

Më tej Këshilli i Europës që të gjithë e mendojnë se është ndonjë gjë serioze referon gazetarin Artur Çani që ka zbuluar se kryeministri Edi Rama ka takuar pronarin e News 24 dhe i ka kërkuar largimin e Rakipit.  I gjithë njoftimi që bëhet – e që ndoshta bën pjesë në lajmet që KE përcjell nga Shqipëria- nuk pasqyron asgjë më shumë sesa raportimet e bëra mbi këtë zhvillim që po amplifikohet nga opozita si pjesë e cenimit të lirisë së medias. 

Nuk ka aty asnjë përpjekje të KE-së ndaj qeverisë shqiptare për të sqaruar këtë situatë, por thjesht një lajm për qametin e zi të medias në vendin tonë. 

Kjo sjellje krijon një skemë perceptimi të deformuar ku nga njëra anë kemi tribunët e lirisë së mendimit, nga ana tjetër diktatorin Rama. Kjo thjesht nuk është e vërtetë. Në punën e gazetarëve shqiptarë, mes të cilëve ka milionerë të paguar përtej çdo logjike tregu, nuk ka ndonjë gjë parimore. Ka luftë politike, ka pozicionim për axhenda dhe arsye që kuptohen vetëm nëse punon në këtë sektor. Ka trafik influence, ka kontrata, ka edhe gjoba dhe shantazhe, por mbi të gjitha ka mbivlerësim. Një inflacion i madh ku e vërteta fshihet. 

Nëse z. Rakipi në emisionin e vet tronditi me zbulimin e skandalit të DH Albania, z. Krasta çfarë bëri? Pyetja tjetër që shtrohet këtu është: me çfarë e ka kërcënuar kryeministri biznesmenin Hysenbelliu, të cilin e cilësoi Kazan në intervistën e bërë me Rakipin në maj të vitit 2017? Me ndonjë tender, me ndonjë kontratë, apo e ka kërcënuar fizikisht? 

Por edhe brenda kësaj llogjike dhe shqetësimit të madh të opozitës, ne kujtojmë se nëse z. Rakipi denoncoi me kosto personale skandalin e DH Albania, një javë më vonë, në dhjetor të vitit 2018, partizani i sotshëm i mbrojtjes së tij, ish-kryeministri Sali Berisha, shkoi në intervistë në televizionin e bisnesmenit Bashkim Ulaj që u akuzua se qëndronte pas skandalit. Si ta shpjegojmë këtë sjellje, apo me misitikën e politikës globale të liderit historik të së djathtës?!

Është detyra e gazetarëve të këtij niveli, të cilët me këtë zhurmë po rrisin pazarin e vet, të zbardhnin prapaskenën, dhe nëse ajo do të binte ndesh me parimet të cilat predikojnë, ta denonconin. 

Sot është kollaj të thuash: Edi Rama më hoqi nga puna. Ka ndodhur dhe do të ndodhë. Por si e mbylli emisionin Edi Rama? Kur një gazetar lëshon një akuzë të tillë, ai në fakt sapo ka denoncuar pronarin e medias ku punonte, ndaj zhurma në krye të së cilës qëndron një opozitë malinje si kjo e Lulzim Bashës që e qep dhe hap gojën në varësi të informacioneve që i shërbehen, është asgjë më shumë sesa ajo e një gjinkalle gushti. 

Të vjen keq të shohësh katandisjen e KE-së në një seksion qorr të opozitës, kur për draftin e projektligjit për mediat online, ky institucion nuk lëvizi nga vendi veçse kur u bë presion nga Shqipëria. 

Media në këtë vend ka probleme shumë të mëdha. Por problemet e saj kryesore nuk lidhen me emrat e Rakipit, e ca më keq të këtij Adi Krastës, por me ato të reporterëve dhe stafeve që menaxhojnë punën. Për to pakkush flet. Mezi e hapin gojën edhe unionet e drejtuara në përjetësi nga të njëjtët yesmenë që i sheh shumicën e kohës kokteileve të ambasadave. 

Në fund fare askush nuk diskuton për këto lëvizje mbi terma kontratash, sepse askush nuk ka qejf t’i zbardhë këto kontrata, një arsye më shumë kjo se përse pastaj të gjithë luajnë rolin e “gojëhapurit” kur rezultojnë “gazetarë” me llogari bankare 1 milionë dollarë. Llogari që mundet të jenë edhe ilustrim i “Ëndrrës Shqiptare”, mundësuar ekskluzivisht nga Hysenbellinjtë e shumë të “medias” shqip. 

Re.Pu